Kryeministri Edi Rama e ka bërë edhe një herë të qartë ditën e djeshme se ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët që i kanë ngrënë kumbulla pas shpine do përfundojnë në SPAK. Ai nënkuptoi gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar se do të ketë të tjera arrestime brenda Partisë Socialiste. Rama tha se kushdo që ka gabuar duke shfrytëzuar detyrën e tij për përfitime personale, duhet të cilësohet si “tradhtar i dyfishtë” dhe të luftojë vetë në SPAK për shkeljet që ka kryer. Rama foli në përgjithësi për kryebashkiakun e korruptuar që fut duart në arkat e shtetit dhe xhepat e popullit, ku sipas tij, ai meriton vetëm përbuzje dhe është tradhtar. Indirekt ky mesazh dukej se i përcillej Veliajt, i cili është kryebashkiaku më i përfolur aktualisht për korrupsion. “Ashtu sikur dikush që është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkat e këtij shteti dhe xhepat e këtij populli, nuk është me ne. Nuk ka se si të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes. E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje politike që bën korrupsionin në funksionet publike është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar si çdo hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tij, por edhe i PS-së si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet”, u shpreh Rama.
Rama thotë se nuk lëshon vetëm djalin
Po ashtu, më tej, kryesocialisti foli edhe thirrjet para drejtësisë, që dukej se po indirekt i referohej sërish Veliajt, teksa kreu i qeverisë ia bëri të qartë se nuk do mbrojë, por duhet të luftojë për të vërtetën. “Unë kam pasur detyrën të punojë në 10 vjet me 40 e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje që prej ditës së parë se kush lufton për të mirën e përbashkët më ka në krah në çdo hap edhe kur sulmohet. Por kush gabon duke kujtuar se do bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë duke luftuar me mua dhe PS për të mirën e përbashkët dhe nga ana tjetër duke punuar fshehurazi për xhepin, nuk do më ketë në krah as mua dhe as PS. Vetëm avokatin e vetë para drejtësisë. Jo po PS duhet t’i mbajë njerëzit dhe ti nuk duhet t’i lëshosh njerëzit e tu. Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël dhe ndonjë shkëmb në det ku do të hidhet. Por nuk mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur vjen ora të thirret. Jo po nuk kam bërë asgjë, më bien në qafë. Nëse nuk ke bërë gjë nuk të mbaj as unë as PS por e vërteta. Prandaj lufto për të vërtetën tënde sepse unë dhe PS nuk bëjmë asnjë koment për çështje që hap SPAK për deputet, kryebashkiak apo ministër”, u shpreh Rama.
Vijat e kuqe
Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë lloj mbrojtje nëse ngatërrojnë të mirën e përbashkët me atë personale. “Nuk jam unë dhe PS që e lëshon atë që i dridhet toka nën këmbë, por është ai që e ka lëshuar PS-në. I dëgjoj kur përsërisin pa pushim me shpoti të madhe “s’ka mundësi të mos i dijë Rama horlliqet e x apo y”. Nuk e kanë haberin si funksionon pushteti ekzekutivi. Nuk ekziston që një anëtar i një kabineti qeveritar të shtrëngohet për të vendosur kundër bindjes së tij. Nuk ka pasur asnjë mëdyshje për t’ia lënë drejtësisë fatin e hapur nga SPAK”, shtoi kryeministri. Edi Rama thotë se qeverisja e tij është në luftë me korrupsionin. “Kur i solla më parë tablonë e frikshme të 2023 nuk desha as të them as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin. Jemi future dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë reale të stërngatërruar dhe të stërmundueshme me korrupsionin. Pikërisht se e kemi të vërtetë, ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë SPAK dhe GJKKO, por edhe ja kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe akuzave të grykës së zjarrit. Sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik. Ne i kemi hapur rrugë dhe furnizimit me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur një kushtetutë dhe hapësirë ligjore të qepur për këtë luftë, por edhe një buxhet pagash që si askund të Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve. Drejtuesit e organeve të drejtësisë kanë pagat më të larta në hierarkinë e shtetit. Janë individët më të paguar në gjithë piramidën e shtetit tonë, që përbën një anomali absolute. Por e kemi krijuar më vetëdije të plotë. As korrupsioni në Shqipëri nuk është mundur si fenomen shqetësues dhe as forca jonë qeverisëse se ka fituar imunitetin nga korrupsioni. Ka shumë akoma për të pastruar dhe vetë brenda PS-së mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit”, tha Rama.
