Reforma në Drejtësi dhe efektet e saj në sistemin gjyqësor shqiptar kanë sjellë debate të forta mes analistëve dhe juristëve në një studio televizive, ku u përplasën qëndrimet e avokatëve Alban Duraj dhe Zaçe Islami.
Avokati Alban Duraj deklaroi se politika shqiptare në përgjithësi nuk ka dashur kurrë një sistem të fortë drejtësie, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë në gjykatat e vendit.
Sipas tij, shumë gjykata apeli funksionojnë me numër të reduktuar gjyqtarësh, çka ndikon drejtpërdrejt në vonesat dhe stokun e dosjeve.
Duraj u shpreh gjithashtu se Partia Socialiste ka treguar më shumë interes për implementimin e Reformës në Drejtësi dhe mbështetjen e institucioneve të drejtësisë.
“Shikojmë një interes të shtuar të shumicës qeverisëse për implementimin e reformës dhe mbështetjen ndaj gjyqësorit dhe organit të akuzës”, tha ai.
Në krahun tjetër, avokati Zaçe Islami e cilësoi Reformën në Drejtësi si një “dështim total”, duke e akuzuar atë se ka sjellë kaos në sistem dhe ka rënduar situatën për qytetarët.
Sipas Islamit, reforma nuk ishte një reformë reale, por një proces politik për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.
“Kjo ishte një luftë e pashpallur për pastrimin e strukturave të drejtësisë nga elementë që nuk kishin lidhje me Partinë e Punës”, deklaroi ai.
Islami kritikoi edhe mënyrën e marrjes së vendimeve në gjykata, duke e quajtur praktikë komuniste faktin që shumë vendime merren në dhomë këshillimi pa praninë e avokatëve dhe prokurorëve.
Ai krahasoi situatën aktuale me periudhën komuniste të viteve ’60, duke thënë se avokatëve po u hiqet mundësia për të mbrojtur klientët e tyre në proceset gjyqësore.
