Rama-Berisha tentativa për t’i lidhur duart SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja çfarë parashikon rezoluta e re e qeverisë për antikorrupsionin

Data

Pavarësisht qëndrimeve të prera të amerikanëve për të mos futur duart tek reforma në drejtësi, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duken të vendosur për të çuar përpara planin e tyre ogurzi.  Fjalimi për më shumë se 1 orë e 30 minuta i kreut të qeverisë gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të djeshme me ministrat dhe deputetët socialistë, ia la vendin paraqitjes së rezolutës së re të qeverisë për reformat në sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Një rezolutë që i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë për të kryer disa detyra, por që më shumë ishte një ftesë për grupin e Sali Berishës për të krijuar një Komision të Posaçëm Parlamentar, nëpërmjet të cilit do të mund të bëhen ndryshimet e synuara ligjore. Ka pak kohë që mazhoranca dhe grupi i Sali Berishës me në krye deputetin Gazment Bardhi, kanë filluar bisedimet për ndërhyrje në drejtësinë e re, pas disa arrestimeve të bujshme nga SPAK. Pushteti që ka fituar SPAK duket se ka frikësuar politikën në Shqipëri, që tashmë e sheh veten të rrezikuar për aferat e ndodhura ndër vite, që po zbulohen nga dita në ditë, teksa qindra zyrtarë e ish-zyrtarë, deri te ministrat, janë vënë në pranga.

Çfarë parashikon rezoluta e re e qeverisë?

Në përfundim të takimit me deputetët dhe ministrat socialistë, Rama paraqiti një projekt-rezolutë, në thelb të së cilës është propozimi për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të rishikojë ligjet për drejtësinë e re. “Të ngrejë një komision të posaçëm parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në bashkimin evropian,” thuhet në projekt-rezolutë. Ky komision, përbërja e të cilit nuk paracaktohet do të jetë “me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore”. Nuk dihet ende se çfarë ligjesh do të ndryshojnë në reformën në drejtësi. është folur gjithnjë për modifikimin e akuzës për “shpërdorim detyre”, formulimi i të cilës lë hapësirë për ndëshkimin e shumë zyrtarëve të lartë.  Ndërkohë, kreu i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar që prokurorëve t’i jepet një shans i dytë për rikandidim në mandatin e tyre në Prokurorinë Speciale. Tentativat për ndryshimin e ligjeve të reformës në drejtësi kanë qenë të shumta edhe në të shkuarën, por nuk janë lejuar nga ambasada amerikane që gjithnjë ka reaguar kundër këtyre nismave.

Pazaret Rama-Berisha

Dakordësia mes mazhorancës dhe grupit të Sali Berishës ka nisur që prej fundit të aksionit opozitar, teksa u vërtetua edhe me miratimin e Amnistisë Penale, që ndryshe nga çfarë u propagandua deri ditën e fundit, u dha lirinë edhe të dënuarve nga GJKKO. Ishte vetë SPAK që njoftoi se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend. Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi. Pra premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të grupit të Sali Berishës se ligji për amnistinë nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

Mesazh kundër SPAK

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve. Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit. Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit. Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019. Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related