Shqipëria e fundit në rajon për lirinë e shtypit, “Reporterët Pa Kufij” publikojnë raportin, Edi Rama bën “mea culpa” dhe paralajmëron se do të reflektojë për arrogancën e ekzagjeruar ndaj medias

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri, ku Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika. Në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, 3 maj, kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëron marrjen e masave për përmirësimin e mjedisit mediatik, duke bërë “mea culpa”, pasi akuzohet si “armik” i mediave.  Referuar raportit të publikuar nga ‘Reporterët pa Kufij’, kryeministri Rama thotë se do e analizojnë dhe më pas do bëjnë një konsultim me të gjitha palët e interesuara për të marrë veprime për mbrojtjen e lirisë së informacionit, luftimin e dezinformimit si edhe mbrojtjen e të drejtave për gazetarët. “Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve”, shkruan Rama në platformën “X”. Ndërkohë Rama shkruan se qeveria shqiptare është e shqetësuar lidhur me gjetjen kryesore të raportit, se liria e medias në gjithë botën në kërcënim. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi”, nënvizoi Rama.

Çfarë thotë raporti i “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e medias në Shqipëri?

Ndërkohë ditën e djeshme organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar raportin vjetor, në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në botë, ku ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika. Në indeks vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias, po përshpejton rënien e lirisë së saj. Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit, duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta. Organizata “Reporterët Pa Kufij”, vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri është i vështirë. Ajo ka humbur tri vende, krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

Reagon opozita

Por teksa kryeministri Rama paralajmëron masa për përmirësimin e mjedisit mediatik, opozita e shigjeton atësi armik të fjalës së lirë dhe shantazhues ndaj gazetarëve. Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka i është drejtuar dje kryeministrit Rama pas reagimit të tij lidhur me Ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Në një reagim në “Facebook”, Açka shkruan se kryeministri është personi i fundit që mund të bëjë moral për lirinë e fjalës. Deputetja demokrate shkruan se gazetarët nuk kanë status mbrojtës të veçantë, shantazhohen nga pushteti, s’kanë siguri për vendin e punës, si edhe shumë media kanë informalitet. Ndërsa deputetja e Rithemelimit, Ina Zhupa thotë se brenda një viti janë kryer 30 sulme ndaj gazetarëve dhe medias në Shqipëri.  Edhe Zhupa në reagimin e saj ka shigjetuar kryeministrin Rama duke thënë se është abuzues dhe shantazhues ndaj gazetarëve. Sakaq, edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar dje më anë të një postimi në rrjetet sociale, pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, e cila e nxjerr Shqipërinë të fundit në rajon. Meta shkruan se në këtë raport nuk ka asnjë surprizë, pasi sipas tij Edi Rama është armik i fjalës së lirë dhe pavarësisë së medias. Ai inkurajon gazetarët të vijojnë pa u trembur misionin e tyre pa u trembur dhe fton organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë  edhe më me shumë vëmendje situatën e kolegëve në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related