Inkriminim i policisë, amnistia penale, emisioni i “RAI 3”, taksimi i profesioneve të lira dhe shkrirja e Albcontrol, përplas mazhorancën dhe opozitën në Kuvend, akuza dhe debate të forta mes palëve

Data

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh dje në seancë plenare, teksa inkriminim i policisë, amnistia penale, emisioni i “RAI 3”, taksimi i profesioneve të lira dhe shkrirja e Albcontrol, ka përplasur mazhorancën dhe opozitën, të cilat u përfshinë në debate të forta dhe hodhën akuza ndaj njëra-tjetrës. Seanca nisi debate të forta mes Gazment Bardhit dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla duke e akuzuar se po pengon interpelancën me Ramën për emisionin Report të “RAI 3”. Pasi u hodh në votim kërkesa u rrëzua. PS tha se nuk kishte urgjencë për një interpelancë të tillë. Më pas seanca vijoi me interpelancat e thirrur nga Ervin Salianji me ministrin e Brendshëm Taulant Balla dhe deputetes Ina Zhupa me ministren e Arsimit. Salianji akuzoi qeverinë se ka kanabizuar të gjithë Shqipërinë, ndërsa për këtë arsye bëri kurban një ministër, referuar Saimir Tahirit. Deputeti demokrat, Ervin Salianji gjatë interpelancës me ministrin e Brendshëm Taulant Balla u ndal edhe në rastin e zhdukjes së Ervis Martianjt. Salianji kërkoi zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa tha se ishte lënë vetëm 300 ditë kohë Rrumbullakut për rezultate, por autoritete nuk kanë dalë me një përgjigje mbi fatin e bosit të lojërave të fatit. Ministri Balla tha se kriminaliteti është ulur dhe Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të sigurta për turistët. Në replikë me Ballën opozitës i kujtoi kohën kur nën qeverinë Berisha vlera e kanabisit në Lazarat ishte dy herë më e madhe se buxheti i shtetit. Kuvendi u përfshi në debate dhe sa i takon tatimit 15% dhe 23% i profesionistëve të lirë, në bazë të fitimit të tyre. Nga foltorja e Kuvendit, Jorida Tabaku, kërkoi shpjegime nëse do ju njihen shpenzimet profesionistëve siç parashikon ligji, ndërsa përgjigjen e mori nga socialisti Erion Braçe.

Debate në Kuvend për emisionin e “RAI 3”

Seanca plenare e kësaj të enjteje nisi me debate të forta. Këtë herë, molla e sherrit ishin kërkesat për interpelancë, që në radhët e opozitarëve janë shtuar. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi në nisje se një kërkesë për interpelancë e PD-së zyrtare do të pranohet dhe se ministri i Drejtësisë shpejt do t’i përgjigjet Lulzim Bashës mbi dyshimet se rreth 100 të dënuar për korrupsion nga GJKKO  përfituan nga amnistia penale. “Ulsi Manja dhe qeveria që ai përfaqëson, Partia Socialiste, vet Edi Rama, kanë pasur një dhe vetëm një interes, i kanë mbajtur 3 muaj më gjatë në burg një numër të madh familjarësh, prindërish të dënuar, që do të përfitonin më herët nga amnistia, që të lironin mbi 80, madje shifra ka arritur mbi 100 persona të dënuar për korrupsion. Kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkimin e votave me një pjesë të deputetëve të cilët ndodhen aty me votat e Partisë Demokratike. Ndaj ne kemi depozituar dje kërkesën për një interpelancë urgjente me Ulsi Manjën”, tha Lulzim Basha. Ndërkohë u përgjigj Nikolla. “Interpelanca me Manjën do zhvillohet si pikë e parë e rendit të ditës në një nga seancat në vijim”, tha Lindita Nikolla. Përplasjen më të ashpër e prodhoi interpelanca e refuzuar për Rai3, e kërkuar me kryeministrin Rama nga Gazment Bardhi. Ky i fundit, duke grushtuar edhe foltoren, i kërkoi llogari socialistëve përse kryeministri nuk vjen në Kuvend t’i përgjigjet opozitës. Kërkesa e Bardhit u hodh në votim, por u rrëzua me 56 vota kundër. “Javën e shkuar pas një kërkese po të refuzuar që Rama të jepte llogari për dyshimet e përfshirjes e vëllait të tij në laboratorin e Xibrakës, pas një emisioni investigativ, rezulton dhe është pranuar nga vetë Rama që ka tentuar të ushtrojë presion ndaj gazetarëve që kanë kryer investigimin në median shtetërore RAI. Rama e ka pranuar telefonatë me drejtorin e RAI 3 duke shprehur se ka qenë duke mbrojtur sekretarin e vet të përgjithshëm, të cilin RAI 3 e konsideronte si avokatin e trafikantëve të drogës dhe e gjithë vëmendja te Engjëll Agaçit bëhej për të fshehur dyshimin të përfshirjes së vëllait të kryeministrin në trafikut ndërkombëtar të laboratorit të kokainë, Xibrakës”, tha Bardhi. Ndërkohë Bardhit iu kreu i grupit të parlamentar të PS, Bledi Çuçi. “Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve të rregullores dhe aq më pak pastaj se është urgjente se vetë programi i RAI nuk ka urgjencë meqë vetë e ka shtyrë pjesën e dytë të emisionit”, tha Çuçi. Sherri për interpelancën u ndërpre nga një protestë surprizë e përfaqësuesve të Diasporës, që në brenda seancës plenare shpalosën një pankartë dhe hodhën letra të bardha në drejtim të deputetëve me thirrjen “Duam të votojmë”. Garda ndërhyri duke i nxjerrë jashtë.

Inkriminimi i policisë

Ministri Balla replikoi në seancën plenare me deputetin e Rithemelimit, Flamur Noka, teksa ky i fundi sulmoi shkollën e Magjistraturës dhe kreun e kësaj shkolle Arben Rakipi duke e cilësuar si ish-spiun të sigurimit të shtetit. Balla i kërkoi Nokës të kërkojë falje dhe të mos sulmojnë më kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë. Ministri Balla, tha se kriminaliteti është ulur dhe Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të sigurta për turistët. Opozitës i kujtoi kohën kur nën qeverinë Berisha vlera e kanabisit në Lazarat ishte dy herë më e madhe se buxheti i shtetit.

“Do t’i shkul veshët”, Shehaj debaton fort me Ulsi Manjën për Amnistinë Penale

Debat mes deputetit Arben Shehaj dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi, Manja lidhur me amnistinë penale. Shehaj akuzoi Manjën se ka gënjyer. Ministri e qeveria kanë gënjyer në mënyrë më të pamoralshme opinionin publik. Tre javë më parë deklaroi se nuk do të përfitojë asnjë i korruptuar, më pas thotë SPAK thotë kanë përfituar. Ti Manja mos e vrit mendjen se nuk e pret njeri dorëheqjen. Unë jam hajdut?! Ti liron të korruptuarit?! Do të thuash që nuk është e vërtetë? Je burrë, jep dorëheqjen. Erdhe këtu dhe gënjeve, mashtrues, jep dorëheqjen. Nuk të vjen mirë që gënjeve këtu. Të pëlqen të gënjesh. Manja nuk dëgjohet pasi ka mikrofonin të mbyllur por nga karrigia i bën me dorë se do të të shkul veshët. “Do më shkulësh veshët mua ti, ministër i Drejtësisë që liron të korruptuarit. Gënjen e nuk ka çfarë thotë”, tha Shehaj.  Në replikë Ministri Manja nga foltorja e kuvendit tha se do jepte përgjigje javën tjetër, jo vetëm për amnistinë penale por dhe për atë (Shehaj) personalisht duke e akuzuar se sponsorizon portale që publikojnë lajme dashakeqe për Shqipërinë

Debate në kuvend për pr/ligjin për shkrirjen e Albcontrol, opozita pretendon se po shkrihet për shkak të gjyqit me Bechettin, qeveria premton se do jetë ent publik

Po ashtu, është shoqëruar me debate diskutimi mbi projektligjit në Kuvend për shkrirjen e Albcontrol SHA, dhe krijimin e një enti publik Albcontrol. Ky vendim për Partinë Demokratike është lëvizje fshihet procesi gjyqësor me biznesmenin italian Françesko Beketi. Ndërsa qeveria thotë se ndryshimi i statusit bëhet pasi bie ndesh me konventën e Eurocontrol.

Lefter Gështenja: Po shkelen ligjet. Albcontrol sh.a., “prishet pa kaluar në likuidim” dhe besoj se është  ne shkelje te ligjit për shoqëritë tregtare.

Emilia Koliqi: E vërteta është se llogaria e Albcontrol në Eurocontrol është bllokuar nga arbitrazhi dhe po bëhet kjo artificë për të ligjëruar financimin e Albcontrol me fonde të buxhetit.

Edmond Spaho: Arsyeja është se po na marrin paratë, na kanë marrë  65 mln euro, le të thotë zv kryeministrja zero

Belinda Balluku: Ka dy arsye, biem ndesh me konventën e Eurocontrol, nuk mund të jete SHA sepse duhet të paguaj tatim fitim, dhe kjo kompani nuk mund të krijoj fitim, ndaj po e ndryshojnë formatin dhe po e kthejmë në publik buxhetor. E dyta kompania si sha ka  qenë në varësi në Ministrisë së Financave dhe e cila nuk ka ekspertizë në këtë fushë dhe komprometohet siguria, dhe kalon nga financa tek infrastruktura si ministri e linjës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related