Dosja 500 faqe e SPAK-ut për korrupsionin e familjes “Berisha” ka ekspozuar skemën se si i kanë fshehur dhe kamufluar pasuritë Jamarbër Malltezi dhe Argita. Prokuroria e Posaçme futi në skaner blerjen e pronave në Gjirin e Lalëzit, më konkretisht blerjen e gjysmës së një vile në kompleksin Lura 1, dhe një vilë dykatëshe në kompleksin Lura 3. Kontrata për blerjen e vilës së parë është lidhur në vitin 2004, ndërsa godina do të kishte dy kate, me një vlerë blerje 50 mijë euro, ose e thënë ndryshe 300 euro metër katrorë. Për shkak të disa punimeve shtesë që janë kryer në këtë vilë, shuma përfundimtare e paguar nga çifti Malltezi ka qenë 56 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë që ka dorëzuar në ILDKPI në vitin 2005, Argita Malltezi deklaron gjysmën e vlerës, së vilës, sipas saj të blerë në vitin 2003, ndërsa në kontratë është shënuar viti 2004.
Futet në lojë daja i Argita Malltez
Procedurat për ndërtimin e vilës, por edhe procesin e legalizimit të saj, janë ndjekur nga shtetasi Agim Ramaj, daja i Argita Malltezit, i cili ka deklaruar se vila ishte ndarë për gjysmë mes tij dhe mbesës. Sipas SPAK, gjatë kohës kur Berisha ka qenë kryeministër, ka nënshkruar akte që lidhen me ndërtimet e shoqërisë Lura në Gjirin e Lalzit. Për këtë vilë, në vitet 2012 dhe 2013, çifti Malltezi deklaron se ka bërë shtesa në ndërtim, përmes kompanisë së Agim Ramajt, aksioner i vetëm i shoqërisë ‘Martini”. Vlera e rikonstruksionit që i ka kaluar dajës së Argitës, nga llogaria e të shoqit është 5 milionë lekë të rinj. Sipas SPAK, në deklarimin e pasurisë të vitit 2022, ka mospërputhje në lidhje me vlerat e deklaruara më herët për pronat në Gjirin e Lalzit. Në deklarimet e vitit 2021, shfaqet dhe blerja e një tjetër ndërtese, e kamufluar sipas SPAK në deklaratat e pasurive, sikur i referohej pronës së vjetër. Prona e dytë, është pikërisht vila e sekuestruar nga SPAK, për të cilën çifti Malltezi ka deklaruar se e ka blerë për shumën e 155 mijë eurove. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kësti për blerjen e saj, ka ndodhur vetëm pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2021.
Skema e Jamarbër Malltezit me shitblerjen e pronave
Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi një pjesë të pronave që ka përfituar si trashëgimi nga gjyshja, apo motra e kësaj të fundit, nuk i ka deklaruar në ILDKPI. Për më tepër sipas SPAK, disa prej trashëgimtarëve kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të dhurimeve. Sipas prokurorëve, Malltezi nisi menjëherë me shitblerjen e pronave, sapo u lidh kontrata për blerjen e terreneve sportive të ish-kompleksit Partizani, dhe në këtë mënyrë shtoi dhe përfitimin e tij fundor, nga shitja e pronës së zhvilluar. Prokuroria e Posaçme, thotë se Malltezi ka përfituar pasuri të dhuruar nga gjyshja e tij (e ndjera Nimete Bekteshi) dhe nga motra e gjyshes, shtetasja Nusret Kaçurri. SPAK thotë se në kontratën e dhurimit që ka bërë kjo e fundit, nuk janë cilësuar pjesët takuese për secilin për trashëgimtarët, ndërkohë që vetë Malltezi i ka deklaruar këto në ILDKPI.
Dosja nga SPAK
“Në vitin 2010, evidentohet ekzistenca e një akt marrëveshje, për dhurimin e pjesëve takuese, dt 27.04.2010 e cila nuk rezulton të jetë përpiluar para noterit, marrëveshje kjo e lidhur ndërmjet palëve si vijon: Nusret Kaçurri, Haki Begeja, Xhimi Begeja, Bashkim Bekteshi, Raimonda Bekteshi (përfaqësuar nga Bashkim Bekteshi), Nervit Hoxha (përfaqësuar nga Bashkim Beshteshi), Jamarbër Malltezi, Orinda Malltezi (përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi). Në përmbajtje të kësaj akt marrëveshje, parashtrohet se: Nusret Kaçurri së bashku me bashkëpronarët e tjerë, kanë vënë në dispozicion të shoq Kontakt sh.p.k. pronën e tyre që ndodhet tek Klubi Partizani me kontratën nr 4938/831 datë 22.05.2006 dhe shtesën e kontratës nr 8166/1249 datë 11.10.2007. Nga ndërtimi në këtë truall pronarët do të marrin 24% të tij. Një dokument i paraqitur me shënimin e përfaqësuesit të shoq ndërtuese përcaktohet se pjesa e znj. Nusret Kaçurri është 721.93 m2 apartamente, dyqane me sip 64.39 m2, veranda është me sip 23.11 m2 dhe parkimi është 4.13 njësi. Nusrete Kaçurri deklaron se pjesën e saj të përshkruar më sipër, jua dhuron nipërve të saj dhe konkretisht Bashkim Bekteshi, Nervit Hoxha, Rajmonda Bekteshi, Jamarbër Malltezi, Orinda Malltezi, Ermira Rizvanolli, Anila Maçit dhe Xhimi Begeja, të cilët deklarojnë se pranojnë dhurimin që u bëhet nga halla e tyre. Shoqëria ndërtuese, secilit prej nipërve të përcaktuar më sipër, do u shtojë pjesën që ata marrin vetë sa vijon: Apartamente 90.24 m2, dyqane 8.05 m2, verandë 2.89 m2, parkim 0.52 njësi. Në këtë kontratë palë është Haki Begeja i cili nënshkruan për pjesët që marrin dy vajzat e tij Ermira Rizvanolli dhe Anila Maçi”, thuhet në dosjen e SPAK.
