Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në një intervistë për gazetën “SOT”, shprehet se procesi gjyqësor ndaj tij për shpërthimin në Gërdec është iniciuar pa bazë ligjore, në kundërshtim me ligjin dhe akte të tjera ligjore. Sipas tij, kjo është një çështje që është gjykuar dhe janë dënuar 22 persona për çështjen e Gërdecit, ku janë përcaktuar dhe përgjegjësit përkatës. Nga ana tjetër, Z.Mediu ka folur dhe për dëshmitarët e thirrur nga SPAK dhe mënyra se si po procedohet marrja në pyetje. Ai thotë se duket që ka një mungesë interesi për faktin që nuk ka asnjë provë kundër që nuk mund të jap as Luan Hoxha dhe as asnjë tjetër pasi është një proces i cili po shkon drejt një situate absurde. Sipas tij, edhe provat që paraqiten, nuk jepet mundësia për të pyetur ekspertët apo për të parë cilësinë e ekspertëve, qoftë dhe të atyre ekspertëve amerikan që kanë bërë ekspertizën e shpërthimit, gjë që për kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe palës së akuzuar. Ish-ministri ngre pikëpyetje dhe në aktin e ekspertimit për shpërthimin në Gërdec.
-Zoti Mediu, GJKKO refuzoi kërkesën tuaj që dëshmia e 5 shtetasve amerikanë për llogari të procesit Gërdeci, përfaqësues të kompanisë SA të bëhet me video-konferencë, si e komentoni këtë situatë?
E para këtë kërkesë e ka bërë Prokuroria dhe ka dërguar video-konferencë. E dyta, kemi menduar që video-konferenca krijon më shumë mundësi për të pasur pyetje reale të dëshmitarëve. E treta, edhe pala e avokatëve mbrojtës të viktimave ka qenë në të njëjtin mendim me ne, edhe Prokuroria. Gjykata e parë të pa arsyeshme për e ka arsyetuar mendimin e vetë. Ndërkohë, ne kemi kërkuar që procesi i pyetjeve të merret në prani edhe të përfaqësuesit tonë nëse nuk do të bëhet me video-konferencë.
-Gjithashtu GJKKO në seancën e 9 prillit administroi procesverbalin e dëshmisë së Luan Hoxhës. Aq e vështirë është për SPAK që të gjente adresën e një personi që jeton në SHBA? Pse marrja e tij në pyetje është e rëndësishme?
GJKKO dhe Prokuroria refuzuan ta marrin në pyetje, e kam shprehur edhe gjatë procesit gjyqësor që është shumë herë më e lehtë për të gjetur adresën e presonit për të komunikuar sesa në Shqipëri. Duket që ka një mungesë interesi për faktin që nuk ka asnjë provë kundër që nuk mund të jap as Luan Hoxha dhe as asnjë tjetër pasi është një proces i cili po shkon drejt një situate absurde. Të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë nuk kanë patur qoftë dhe një fjalë kundër. Edhe provat që paraqiten, nuk jepet mundësia për të pyetur ekspertët apo për të parë cilësinë e ekspertëve, qoftë dhe të atyre ekspertëve amerikan që kanë bërë ekspertizën e shpërthimit, gjë që është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe palës së akuzuar. Unë kam qenë pro që duhet të pyeten të gjithë, iu kam kërkuar të gjithëve të flasin dhe dëshmitarëve të Prokurorisë që duhet të flisnin.
-A po tentohet që procesi juaj të mbyllet me shpejtësi?
Ky proces ligjor është nisur në mënyrë të paligjshme. Tashmë kemi një parashkrim të kësaj vepre penale prej vitesh dhe hapja është në kundërshtim me kodin penal dhe vazhdon në kundërshti me kodin penal pasi iu është mohuar e drejta dëshmitarëve. Duket se Prokuroria vendos në proces, e nga ana tjetër duket se seancat bëhen thjesht formale pa arritur që të hyjnë në analizë për të gjithë atë që është në akuzë. Prokuroria kur arrin në absurd thotë që Ministri nuk ka licencuar depon e municioneve që d.t.th se qeveria nuk ka lexuar se çfarë është ministri i Mbrojtjes, e për më tepër Prokuroria mendon se ministri i Mbrojtjes ishte caktuar për të bërë ushtrinë dhe jo për të bërë politikat e qeverisë. Po ashtu thuhet se ministri i Mbrojtjes ka bërë dëm ekonomik sepse ka thënë që transporti bëhet me Forcat e Armatosura. Kjo është absurde për faktin sepse transporti i mallrave të rrezikshme bëhen nga Forcat e Armatosura, pasi municionet nuk janë patate që mund të transportohen me çdo lloj mjeti dhe ka një ligj për këtë çështje se kush e bën transportin. Mënyra sesi paguhet, kush e paguan transportin janë urdhra me vendim qeverie të cilat Prokuroria këto gjëra duhet t’i kishte marrë në konsideratë, gjë që si ka bërë.
-Ju keni kërkuar që SPAK të pyesë dhe ekspertë të tjerë, madje një fizikant për të gjetur shkaqe shkencore për shpërthimin tragjik? Pse kjo kërkesë nga ju?
Kjo ka të bërë për faktin se ekspertiza amerikane është e drejta jonë që të pyesim ekspertin që ka bërë ekspertizën të këtij shpërthimi, që kanë qenë ekspertë amerikan. Gjë që është lënë nga gjyqtarja që do të jepet në përfundim të procesit gjyqësor sipas saj ligji që është non sens për faktin se procesi gjyqësor duhet të ketë të njëjtën të drejtë siç ka edhe Prokuroria. Prokuroria nga ana tjetër me aktin e ekspertimit nuk ka përcaktuar se kush është përgjegjësia e Ministrisë në një kohë që barrën e provës që është detyrim ligjor i Prokurorisë ta kthejë në një barrë prove për të provuar pafajësinë nga ana e mbrojtjes. Siç është absurde në një proces penal në kodin tonë të procedurës penale. Dhe për më tepër, në aktin ekspertimit që është bërë, jo vetëm që duhet të pyesim por edhe të ngremë pikëpyetjet tona, duket qartësisht që nuk ka ndodhur shpërthimi për faktin e saldimit të karrocës. Djali i të ndjerit Qemal Deliu ka deklaruar që ka qenë në shtëpi dhe i ati nuk ka ardhur në shtëpi nga ora 10:00-12:00, ky është një fakt shumë domethënës që nuk ka qenë në procese të tjera gjyqësore. Kjo tregon se nuk është salduar karroca e Qemal Deliut. Një tjetër fakt domethënës është se karroca e fundit që ka hyrë ka qenë 30 minuta përpara se të ndodhte shpërthimi në një kohë që ekspertët amerikan kur kanë bërë aktin e ekspertimit të saldimit, kanë thënë që pas 2 minutash nuk ka asnjë lloj nxehtësie për të shpërthyer e për të marrë flakë baruti nga nxehtësia. Të tjerat janë hamendësime që është ftohur apo nuk është ftohur saldimi në një kohë që ai i cili ka bërë saldimin ka humbur jetën e nuk ka dhënë asnjë lloj dëshmie për këtë çështje.
-A mendoni se SPAK ka lënë jashtë dëshmitarë të rëndësishëm që mund të zbardhin detaje të rëndësishme?
SPAK ka sjellë dëshmitarët e vetë, ka padyshim dëshmitarë të cilët ndoshta mund të ishin thirrur por ne kemi dëshmitarët tanë (lista e dëshmitarëve ushtarak e civil që kemi paraqitur) që do të vihen në proces, kush është detyra e ministrit, si janë bërë demontimet, kush janë rregullat e montimit, etj. Ai që SPAK nuk kërkon të vlerësojë se kush është detyra e Ministrit? Detyra e Ministrit ka të bëj me Kushtetutën, ka të bëj me ligjin, me vendimin e Këshillit të Ministrave.
-Sipas jush kush është përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit?
Kjo është një çështje që është gjykuar dhe janë dënuar 22 persona për çështjen e Gërdecit, ku janë përcaktuar dhe përgjegjësitë përkatëse. Dua të theksoj se ka 17 vite që thuhet se Ministri zgjodhi Gërdecin. Seancën e kaluar u provua qartë që ministri nuk e ka zgjedhur Gërdecin. Dhe pastaj fillojnë historitë me lojërat që mirë Gërdeci mund të ishte zgjedhur, por si bëhet demontimi, sa municione duhen, kush duhet ta çonte, si duhet ta çonte. Nuk di ndonjë ministër as në kohën e diktaturës, jo më në vende anëtare të NATO-s që mund të ketë element të tillë. Le të pyes Prokuroria, ministrat që kanë qenë para apo pas meje, dinë ato sa është sasia e municioneve, kalibrat e municioneve, sasia që do bëj demontimin, si bëhet demontimi. Po t’i dinë ato atëherë është dhe përgjegjësia.
