Nisma e Petro Koçit për të ndaluar tradhtarët nga kandidimi në proceset zgjedhore është protokolluar zyrtarisht nga Kuvendi si iniciativë ligjore. Arsyen e propozimit të një dispozite të tillë si amendament në ligjin e dekriminalizimit, deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi e argumentoi dje teksa ishte i ftuar në një studio televizive, duke u shprehur që në mendje kishte pasur një emër konkret. “Spunto ka qenë nga rasti Beleri, por praktikisht nuk e kap rastin Beleri, pasi ajo është një çështje që është duke u mbyllur dhe fakti që kandidon në një shtet tjetër i heq atij çdo lloj shansi për të qenë në krye të Bashkisë së Himarës. Në rastin Belerit sistemi ynë ligji e kishte të pamundur për ta penguar”, deklaroi deputeti Petro Koçi.
Detajet
Për të kandiduar në zgjedhjet duhet të propozohesh, ose nga zgjedhësit ose nga partitë politike. Për Petro Koçin, nëpërmjet kësaj dispozite do të shpëtojnë edhe vetë subjektet garuese nga tundimi elektoral përballë idealeve kombëtare. “Shpëton edhe partitë politik nga mëkati i kandidimit i njerëzve që dyshohet se kanë cenuar integritetin territorial të Shqipërisë, siç është edhe rasti konkret. Pra me këtë ligj ndalojmë partitë politike që kanë profilin e Agimit të Artë në Shqipëri siç është PD-ja dhe LSI-ja, të mund kandidojnë njerëz të tillë”, nënvizoi ai. Ligji është propozuar nga Petro Koçi dhe ai kërkon që të bëhen ndryshime në ligjin e dekriminalizimit. Sipas relacionit, nisma synon sanksionimin me ligj të ndalimit përjetë për tu zgjedhur, emëruar apo për tu përfshirë në funksione publike të personave të cilët janë dënuar për fyerje, dhunuar apo përdhosje të simboleve shtetërore apo kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Pra iniciativa në fjalë parashikon ndalimi e kandidimit të personave që gjatë jetës së tyre, janë dënuar për përdhosje të simboleve kombëtare. Por që propozimi të kthehet në ligj, kërkon konsensus politik pasi socialistët nuk i kanë 84 vota.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi njoftoi më herët se kishte depozituar në Kuvend një projektligj i cili do të ndalojë përjetësisht të kandidojnë, të zgjidhen apo emërohen në funksione publike shtetas të cilët janë dënuar për dhunim apo përdhosje të simboleve shtetërore dhe kombëtare. “Sapo depozitova një projektligj i cili do ndaloje përjetësisht te kandidojnë, te zgjidhen apo te emërohen ne funksione publike shtetas qe janë dënuar për dhunim apo përdhosje te simboleve shtetërore dhe kombëtare. Ligj kundër tradhtarëve te kombit”, shkroi dy ditë më parë në rrjetet sociale deputeti Koçi.
