Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e Këshillit Kombëtar të mbledhur nga Gazment Bardhi për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i Partisë Demokratike. Gjykata vendosi të mos legjitimojë Këshillin Kombëtar të thirrur nga Bardhi në korrik 2023. Gjyqtari Gentjan Marku vendosi kështu mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Bardhi, kërkesë që u bë nga 6 deputetë të PD. “Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi”, thuhet në njoftimin e PD zyrtare. Kujtojmë se Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike më 27 Korrik të vitit të kaluar autorizoi 6 deputetë që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS-it për dorëheqjen e tij.
Reagon Basha
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar dje, teksa ka deklaruar në një media se vula ka qenë dhe do të mbetet te Partia Demokratike. Ai ka theksuar se politikisht për PD-në kjo çështje është inekzistente, ndërsa pjesa tjetër po bën një telenovelë që të eklipsojë aksionin opozitar. “Telenovela e vulës është stisur nga aktorët që u intereson të heqin vëmendje nga çështjet e vërteta të vendit. Vula ka qenë gjithmonë në PD, dhe do të mbetet. Nuk mund të shkojmë pas një telenovele që ka eklipsuar aksionin opozitar që duhet të shkojë kundër Edi Ramës. Për ne ky është një debat i stisur. Nuk është çështja për debat politik. Për ne politikisht kjo çështje është inekzistente, vula ka qenë mbetet dhe do të jetë në PD. Çfarë bëjmë për të shëruar pasojat e ngritur nga ky revolucion fals. PD nuk është llaç dhe tulla. PD është vlera është parime është aksion opozitar. Sa kohë që mbetesh në këtë telenovelë ku është vula ku është selia”, deklaroi Basha. Ndër të tjera, kryedemokrati Lulzim Basha se nuk duhet të merren me vulën, por me korrupsionin dhe skandalet e qeverisë. Basha theksoi se PD zyrtare nuk ka punë me Metën dhe Berishën. “Edhe demokratët janë mërzitur nga kjo? Ç’u intereson atyre se ku është vula, ku është PD në raport me zgjidhjen për problemet e qytetarëve. Nëse e ndjejnë veten opozitar me këtë qeveri, ti lënë këto lojëra si të largojnë qeverinë dhe si ta zëvendësojë me një qeveri që tu japë alternativë qytetarëve. Ne kemi 10 minuta që flasim për vulën. Mund të kishim folur për skandalet e qeverisë, korrupsionin. Presioni është i tillë se ju nuk mund ta shmangni këtë çështje. Ne nuk kemi punë as me Metën as me Berishën. Çështja e vulës ndihmon hallexhinjtë dhe është Edi Ramës”, nënvizoi Basha.
Gjykata njeh Bashën si kryetar të PD, Sefa: Palët ta respektojnë
Nga ana tjetër, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokrate, Indrit Sefa theksoi dje se vendimi i marrë këtë të martë nga Gjykata e Rrethit Tiranë është në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë. Ai tha se vendimi i marrë që Basha të vijojë të vijojë të njihet si kryetari i Partisë Demokratike është i qartë dhe ky vendim do të respektohet. Gjithashtu ai shtoi se Partia Demokratike është e qetë në qetë në lidhje me çdo vendimmarrje të marrë nga gjykata. “Lidhur me vendimmarrjen që ka marrë organet legjitime të Partisë Demokratike. Përcaktimet ligjore janë të qarta, vendimmarrja e Gjykatës së Lartë është e qartë. Dhe vendimi i marrë sot nga Gjykata e Rrethit Tiranë, është vendim në frymën e vendimit të Gjykatës së Lartë. Pra, ky vendim ma përcaktuar që asnjë organ tjetër përveç kryetarit të partisë nuk është legjitim për t’iu drejtuar gjykatës me kërkesa për ndryshime statutore. Vendimi i Gjykatës së Lartë është i qartë dhe gjykata sot vendosi në lidhje me këto përcaktime ligjore. Siç u kam thënë edhe herë të tjera, ne nuk bëjmë deklarata dhe nuk mbajmë qëndrime në lidhje me vendimet e gjykatave. I respektojmë vendimet e gjykatave dhe jemi të qetë në lidhje me çdo vendimmarrje të marrë nga gjykata. Siç e kemi shprehur herë për herë ne do të respektojmë çdo vendimmarrje të gjykatës dhe ftojmë të gjitha palët e tjera që të respektojnë vendimmarrjet e gjykatës. Siç ua kemi thënë edhe herë të tjera, ne jemi të bindur që edhe Gjykata e Apelit do të marri vendimin të bazuar në ligj dhe në dispozitat ligjore”, shkroi Sefa në rrjetet sociale.
