Rama: Gazment Bardhi është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër

Data

Kryeministri Edi Rama reagoi për faktin e zbuluar ditën e djeshme nga Prokuroria e Posaçme se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim në SPAK për vëllanë e tij Olsi Rama sikurse pretendonte. Sipas Ramës, Bardhi ka bërë kallëzim në SPAK ndaj Olsi Ramës për çështjen ‘Xibaka’ për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për “kallëzim të rremë”, por nga ana tjetër me këtë gënjeshtër, thotë kreu i qeverisë, ka furnizuar gazetarët e medias italiane Rai3 për dokumentarin që ata transmetuan pak ditë më parë. “Kam bërë kallëzim” po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete!  Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë”, shkruan Rama. Kjo gënjeshtër e Bardhit, Rama nënvizon se s’ka shanse të mos dalë cullak. “S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës!  Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë”, shton më tej kryeministri në reagim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related