Kryeministri Edi Rama, ka hedhur dje poshtë lajmin e publikuar në median italiane ‘La Repubblica’, duke e konsideruar të pavërtetë, se ai ka patur një telefonatë të ‘tërbuar’ me drejtorin e ‘RAI3’, në lidhje me emisionin investigative ‘Report’, i cili u transmetua pak ditë më parë në ekranet mediatike. Rama thotë se u skandalizua nga emisioni me ‘qasje kriminale’ duke e quajtur si një ‘episod të turpshëm baltosje të Shqipërisë’. Raportohet nga ana tjetër se ‘La Repubblica’, ka korrigjuar shkrimin e ‘telefonatës së tërbuar’, ku kryeministri tha se nuk ka patur asnjë të tillë por thjesht një kërkesë për telefonatën lidhur ‘me shpifjen më skandaloze’, të emisionit investigative ‘Report. “Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujërash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje! Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij. Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!”, tha Rama. Nga ana tjetër, Edi Rama ka shpërthyer ndaj medias së Sali Berishës, ‘Syri Tv’, ku e krahason me ujërat e zeza të Tiranës, për gënjeshtrën e radhës së publikuar, e cila mbeti në tubacionin e jashtë nxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi në Shqipëri. “Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas një gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujërave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtë nxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë”, shkruhet në reagim.
Investigimi i medias italiane, Alizoti: Gërvishti llumin e korrupsionit, Shqipëria e Ramës është tava e hajdutëve
Deputeti i Rithemelimit, Tomor Alizoti ka komentuar dje investigimin e medias italiane RAI3, ndërsa e cilëson si një gërvishtje të vogël në llumin e korrupsionit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Alizoti shtoi se në përgjigjen e tij mediatike për reportazhin e dokumentuar të RAI 3, kryeministri Rama nuk ndalon së përdoruri epitete skandaloze për mediat. Alizoti nuk kursen akuzat ndaj kryeministrit Rama. “Në përgjigjen e tij mediatike për reportazhin e dokumentuar të RAI 3, kryeministri nuk ndalon së përdoruri epitete skandaloze për mediat. Emisionin “Report“ të RAI 3 e quan “shpifje skandaloze“, gazetarin italian e etiketon si “të paturp epik“, median shqiptare që raportoi lajmin “kanal ujërash të zeza“. Por deliri i Ramës vijon më tej, kur emisionin investigativ të RAI 3 e quan si “një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë”, u shpreh Alizoti. Më tej, deputeti Tomor Alizoti në reagimin e tij në rrjetet sociale shprehet se investigimi i emisionit ‘Report’ denoncoi Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin dhe se zbuloi sesi blihen përfaqësuesit e huaj, për ta nxjerr Shqipërinë siç e do tavolina e ryshfetit.
Lubonja: Investigimi i RAI3 e nxori Ramën lakuriq, qeveria si organizatë kriminale
Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar investigimin e RAI 3, që kritikonte ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe shigjetonte disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Lubonja u shpreh se dokumentari i RAI3 shfaqi mbretin lakuriq. Ai shton se shteti është ndërtuar si një organizatë kriminale, ku sipas tij, fakti që RAI3 flet për korrupsionin e qeverisë Rama tregon se qeverisjes i dalë boja edhe te ndërkombëtarët. “Ne shpesh i dimë gjërat më herët nga se e thonë të huajt. Artikulli i RAI3 ishte skandaloz. Këtu shteti vetë është ndërtuar si organizatë kriminale. Këtu funksionon vetëm propaganda. RAI3 e nxorri edhe reformën në drejtësi sesi funksionon. Presioni mbi politikën bëhet nga ata që janë në pushtet, jo nga ata që janë të arrestuar. Presion është që të mos arrestosh Veliajn, edhe kur e di se çfarë ka bërë. As mos ta thërrasësh fare madje. Edhe kur nuk heton as Edi Ramën dhe as nuk e thërret. Presioni ndonjëherë është i dukshëm dhe i padukshëm. Rama ka njerëz të tijtë në SPAK, që ndoshta bëjnë presione mbi prokurorët. Dashët nuk janë kapur nga brirët, por nga pas. Arben Ahmetaj dhe të tjerët janë bishtat e dashit. Jetojmë në një vend, ku krimi i organizuar merr shtetin, shkon lart dhe merr paratë. Qeveria jonë dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar dhe kjo gjë duhet hetuar, duhet hetuar edhe korruptimi i të huajve. Mbreti ka dalë lakuriq nga skandalet. Tani po iu del boja edhe nga të huajt”, deklaroi dje në një media Lubonja.
Intervista e Berishës për “Rai 3” brenda banesës së tij, avokati Idajet Beqiri “shpërthen” në sulme ndaj SPAK që toleroi ish-kryeministrin
Për avokatin Idajet Beqiri SPAK duhet të kishte vepruar ndaj Sali Berishës i cili së bashku me dhëndrin shkelën arrestin shtëpiak duke dhënë një intervistë për emisionin Report në Rai 3 në Itali. Në një intervistë televizive, Beqiri tha dje se Berisha ka shkelur hapur ligjin dhe se SPAK duhet ta kishte çuar në burg për shkelje të arrestit të shtëpisë. “Në Kukës ishte në arrest shtëpie i shkoi xhaxhai në shtëpi. Ky doli e përcolli te dera e shtëpisë xhaxhanë dhe menjëherë u arrestua dhe vajti në burg. Kurse ky mban fjalime. U jep mesazhe prokurorëve që do t’ju zhduk kur të vij në pushtet. Fut si pa të keqe në shtëpinë e tij një grup xhirimi. Armiq të betuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. SPAK nuk mban qëndrim megjithëse është në dritë të diellit që ka thyer arrestin. Nëse komunikon shkon në burg,. Fakti që nuk e çon në burg SPAK do të thotë se SPAK e kemi por e kemi foshnje, e kemi ende një krijesë shumë fraxhile. Po e ruajmë se mos na i japin një goditje shumë të rëndë”, deklaroi Beqiri.
Dokumentari i Rai 3, Bardhi reagon për intervistën e Ramës: I quan viktima dhe më pas i lëshon në duart e SPAK
Nënkryetari i Rithemelimit, Gazmend Bardhi, ka reaguar dje në rrjetet sociale pas intervistës së kryeministrit Edi Rama lidhur me emisionin e transmetuar në Rai 3, për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët. Bardhi tha se sjellja e tij është tipike e një njeriu që ka humbur qetësinë pasi po fshehja e të vërtetës nuk zgjati shumë. Ai shton se kjo është skema e përhershme e Ramës, i cili fillimisht i quan viktima dhe më pas i lëshon duke u shfajësuar se i kanë ngrënë kumbulla mbas shpine. “Për çfarë ka shpifur Rai 3 që në Laboratorin e Kokainës në Xibrakë ka hije të forta dyshimi për përfshirjen e Olsi Ramës dhe se ky ka përdorur të njëjtin automjet me krerët e grupit kriminal të dënuar apo në arrati? Po mjafton të shohësh dosjen e prokurorisë dhe të dhënat e sistemit TIMS dhe rezulton e provuar se bosi i grupit kriminal Genci Xhixha dhe vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, janë në të njëjtën kohë përdorues të narkoautomjetit me targa AA 653 DM. Nëse nuk ia del dot të pastrosh llumin e bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tu, të paktën mos sulmo median, mos baltos punën e tyre. Nuk do jetë e largët dita që edhe për “viktimat” e radhës siç i quan sot, do mbash një fjalim me frymëmarrje të përshpejtuar, ku t’i shpallësh “kumbullangrënës” pas shpinës tënde! Sepse nuk janë vetëm ata, por ti dhe modeli yt qeverisës në këto 11 vite problemi i vërtetë i qytetarëve shqiptarë”, shkruan Bardhi.
Gazetari italian i përgjigjet Ramës: Nuk mbaron me kaq, këtë të diele sërish Shqipëria në vëmendje
Kryeministri Edi Rama sulmoi dje ashpër emisionin investigativ “Report” të RAI 3 ku trajtohej marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndër të tjera, Rama tha se nga ky emision u prodhua “shpifja më skandaloze për Shqipërinë”. Në një intervistë për TCH, Rama u ankua se emisioni “Report” kishte censuruar sekretarin e tij të përgjithshëm Engjëll Agaçi duke mos publikuar përgjigjet e tij të dërguara me shkrim për gazetarin italian Giorgio Mottola. Ramës nuk i del zemërimi me RAI 3: Emision skandaloz, Agaçi, viktimë e një agresioni të pashembullt. Këtyre akuzave të Ramës u është përgjigjur drejtuesi i emisionit Report, Sigfrido Ranucci. Në një reagim dje në profilin e tij në “Facebook”, ai thotë se të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë. Ranucci thotë se në këtë puntatë do të transmetohen edhe përgjigjet e Agaçit që sipas tij konfirmojnë se ka qenë avokat i narkotrafikantëvem ndërsa thekson emisioni do t’i kthehet sërish çështjes së emigrantëve të dielën e ardhshme. “Report përgjigjet se Agaçi në përgjigjet e tij me shkrim për korrespondentin tonë Giorgio Mottola, të cilat do të publikohen në profilin e Report, ka konfirmuar se ka qenë avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se ka bashkëpunuar në hartimin e protokollit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. I detyrohesha shumë në emër të së vërtetës. Ne do t’i kthehemi çështjes së emigrantëve të dielën e ardhshme. Emisioni transmetohet çdo të diel në Rai3 në orën 20:55”, shkruan gazetari italian.
