Njerëzit e Ilir Metës dhunojnë funksionarët e lartë të PL, ja pse ish-presidenti spastroi partinë nga bodigardët, shoferi, deri te Monika Kryemadhi

Data

Përveç përplasjeve për poste dhe ofiqe, Partia e Lirisë duket se është kthyer në një çetë guerile dhe klanesh, ku në disa raste nuk ka munguar as përdorimi i forcës fizike (dhuna dhe presionet) për të vënë “nderin” në vend. Disa ditë më parë, Ilir Meta zbuloi në protestën para Bashkisë së Tiranës se kishte përzënë gardistët, që sipas ligjit, duhet të kujdesen për sigurinë e tij. Një vendim, krejt i hapur antikushtetues, pasi në bazë të ligjeve të Republikës së Shqipërisë, një ish-President do të duhet të ruhet nga shteti për 5 vjet pas lënies së detyrës. E ky ligj kushtetues nuk është bërë thjesht për individin që ka lënë Presidencën, por për dinjitetin e shtetit. Edhe nëse e marrim faktin që Ilir Meta, ka vendosur të heqë dorë vullnetarisht nga mbrojtja kushtetuese, e para duhet ta bëjë me përgjegjësi të plotë shkresore, që askush nëse i ndodh gjë nesër, të thotë se sulmuan ish-Presidentin e Republikës. Pasi kjo edhe mund të ndodhë. Dhe për këtë gazeta “SOT”, ka mësuar se Meta ka refuzuar të firmosë një shkresë të mbërritur në zyrën e tij nga Garda e Republikës, se ka përzënë truprojat dhe shoferët, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, mësohet se njerëzit e Ilir Metës kanë dhunuar disa funksionarë të lartë të Partisë së Lirisë. Dyshohet se mes personave që janë rrahuar nga ithtarët e Metës janë Endrit Braimllari, i cili së fundmi dha dorëheqjen si nënkryetari i PL dhe ka lëshuara kunja e akuza në distancë ndaj kreut të Partisë së Lirisë. Po ashtu, mësohet se me urdhër të ish-presidentit po ushtrohet terror edhe ndaj eksponentëve të tjerë të PL-së që mendojnë ndryshe nga Ilir Meta dhe që dyshohet se mund ta kenë shitur atë tek organet e drejtësisë. Pra nga frika se zyrtarët të Partisë së Lirisë, por edhe shoferët dhe bodigardët mund ta kenë tradhtuar apo në rast se do të thirren në Prokurorinë Speciale (SPAK) për të dëshmuar sa i takon lëvizjes apo dosjeve që po hetohet Ilir Meta, mund të bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë, ai ka nisur spastrimet brenda. Thënë troc dhe në kushtet kur është shndërruara në paranojak që s’ka besim as tek bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, Ilir Meta ka nisur spastrimet duke rrahuar dhe përzënë kundërshtarët nga partia.

Meta bënë “mea cupla”

Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i PL-së, Ilir Meta këtë fundjavë në tryezën me temë “Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave”, ka bërë “mea cupla”, teksa tregoi “gabimin e tij të madh” që duke mos ndërtuar një sistem meritokratik brenda partisë. “Njoh edhe gra që i kemi bërë ministre, deputete, që i kemi mbështetur shumë apo jo dhe thonë çfarë ka bërë Ilir Meta për mua, duhet të kishte bërë më shumë”. Ilir Meta ka bërë një gabimin të madh, nuk ka ndërtuar një sistem meritokratik, ka besuar më shumë se duhet dhe është zhgënjyer. Që të mos zhgënjej shqiptarët do të ngrej një sistem meritokratik të hekurt, askush nuk bëhet deputet, ministër, kryeministër në emër të PL për shkak se është mik me Ilir Metën, për shkak se ka lidhje me bashkëshorten e Ilir Metës. Por bëhet vetëm për shkak se i shërben 5 prioriteteve të PL, bëhet zëdhënësi i tyre kudo. Konventa është e rëndësishme, jo vetëm që gjysma e anëtarëve të Konventës janë gra, por edhe gjysma e të ftuarve. Nuk e shpëtojmë dot Shqipërinë pa ndihmën e tyre. Nëse zgjidhem President, deri të mërkurën kushdo është i lirë të kandidojë”, deklaroi ai. Po ashtu, Meta është shprehur se do të mbështesë shumë gratë, pasi sipas tij, atyre iu janë vendosur shumë strekëmbësha. “Nuk ka më të rrezikshme se gratë që janë xheloze për gratë”, theksoi kreu i PL-së, duke shtuar se “kisha disa gra që më thoshin pse flet për Vojo Kushin e Mujo Ulqinakun, se nuk flasim për këta ne, se e kemi mendjen tek ato çantat e shtrenjta, vathët e shtrenjtë, orët e shtrenjta, takat e larta, ndaj po na ikin të rinjtë. Do t’i mbështes shumë gratë si Margaret Thatcher, por që u kemi vendosur strekëmbësha, shumë për fat të keq. Nuk ka të më të rrezikshme se gratë që janë xheloze për gratë. Kisha disa gra që më thoshin mua mos fol më për Vasil Laçin ti, sepse nuk është modë, se të rinjtë nuk e kuptojnë. Pse flet për Vojo Kushin e Mujo Ulqinakun, se nuk flasim për këta ne se e kemi mendjen tek ato çantat e shtrenjta, vathët e shtrenjtë, orët e shtrenjta, takat e larta, ndaj po na ikin të rinjtë. Gratë në PL do të shpërthejnë dhe do të afrohen shumë të tjera në konventën e 27 Prillit. Njoh shumë gra të jashtëzakonshme në Shqipëri”, u shpreh ai.

Meta vijon sulmet ndaj Dumanit

Ndërkaq kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka sulmuar sërish kreun e SPAK, Altin Dumani. Pasi u dha një deklaratë e Dumanit, ai tha se ky ishte kreu i SPAK dhe jo një sozi e shpikur nga Berisha. “Ky është zoti Dumani. Mbetet që ai është zoti Dumani dhe jo sozia e tij e shpikur nga Berisha për të diskretituar nga ai. Kalojmë te torollaku (për Ramën). Ilir Meta ka një durim tipik strategjik. Pavarësisht nga ky durim strategjik, në të gjithë angazhimin e tij publik, është i qartë dhe gjithçka ka paralajmëruar për çështje të rëndësishme, e ka konfirmuar koha. Basha gënjen edhe për orën, kjo është provuar botërisht. Djegia e mandateve është një shërbim që ia ka bërë Basha-Ramës, kjo është e vërtetuar. Ju kam thënë se Basha, me vetëdije të plotë i kapur nga Rama dhe McGonigalët e tij, që të linte bashkitë, është e vërtetuar. Është fakt publik që Meta për shkak të interesit publik, shtyu zgjedhjet dhe datën e zgjedhjeve që vendosi Meta më pas, e caktoi vetë Lulzim Basha, më 10 tetor”, tha kreu i PL. Po ashtu, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur ditën e djeshme për përkrahjen nga ndërkombëtarët ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani pas sulmeve të tij. Meta tha se ai nuk ka ndryshuar qëndrim për Altin Dumanin. “Në qëndrimet e mia ndikojnë vetëm bindjet e mua dhe e vërteta. Unë juve ju paraqita një deklaratë të Dumanit, në shqip dhe në anglisht. Nëse nuk është Dumani, por sozia e tij, sepse tani në këtë kohë të operacioneve plastike apo inteligjencës artificiale, atëherë unë kërkoj ndjesë. Jam i bindur që ndërkombëtarët që kanë bërë deklarata, mund të kenë mundësinë t’i shikojnë se çfarë ka thënë Dumani. Nëse në vendet e tyre, Prokuroria është mbi Gjykatat, në mund të themi që na vjen keq për vendet tuaja. Kjo na habit se deklarata të tillë kanë bërë edhe shokët e McGonigolit, që merrnin para e puse nafte nga Rama”, nënvizoi kreu i PL, Ilir Meta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related