Zërat se është një hap larg burgut për shkak se dyshohet se është përfshirë në shumë afera korruptive dhe kriminale, duket se kanë xhindosur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit prej disa ditësh ka nisur një fushatë sulme e akuzash ndaj Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe bashkëpunëtorëve të tij, madje ai nuk ka kursyer as bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, çka tregon se atij po “i dridhet toka nën këmbë”. Ish-presidenti Ilir Meta ka hedhur dje akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, SHBA-së dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Meta i është përgjigjur pyetjes në lidhje me reagimin e Ambasadës së SHBA dhe KLP për Dumanin, pasi e mbështetën atë publikisht duke thënë se “as ju as amerikanët nuk më arrestoni dot”. Meta, ka degraduar situatën duke e quajtur Dumanin torollak, palaço dhe legen. Me tone të ashpra, ai akuzoi Altin Dumanin se i ka çuar njerëz që t’i mbushin mendjen që të largohet nga Shqipëria, teksa flet se kreu i SPAK është urdhëruar nga SHBA që ta arrestojnë. Duke e etiketuar si “dumdumani”, ai tha se Altin Dumani nuk arreston Erion Veliajn dhe Edi Ramën, që janë në krye të aferës së inceneratorëve. Ndër të tjera Meta teksa vlerësuar figurën e Tedi Blushit, të cilin e ka ripropozuar për postin e Sekretarit të Partisë së Lirisë, tha se atë “duan ta vrasin” pasi nuk mund të bëjnë opozitë si ai. Gjithashtu, kryetari Partisë së Lirisë në fjalën e tij ditën e djeshme, veç akuzave ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, ka folur edhe për pasuritë e veta. Meta duket sikur ka nisur të lërë amanetet e fundit para se të prangoset, duke thënë se pasuritë e tij ti shpërndahen popullit, ndërsa një pjesë të shtëpisë do ia lë motrës, e cila po mban dhe prindërit. “Dum Dumani, florinjtë e mi, fabrikat e mia, t’i marrë dhe t’ia çojë popullit. Nuk kam asnjë merak. Kam një shtëpi, ¼ e shtëpisë do ia lë motrës. Kam dhe një motër që ma ka falur zoti, se po më kujdeset për prindërit e mi”, deklaroi Meta.
SHBA i del në mbrojtje Dumanit: SPAK t’i japë fund pandëshkueshmërisë
Por sulmet e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj SPAK si dhe ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit i kanë dënuar dje edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian në Tiranë. Fillimisht ka qenë ambasada e SHBA-së, e cila në një reagim në rrjetet sociale, nënvizon se do të qëndrojë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë. “Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA.
Ndërkohë Pas ambasadës së SHBA, në një reagim në rrjetet sociale edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në postimin e ambsadës britanike në Tiranë.
BE: Intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci
Ndërkaq sulmi i Metës u dënua dje edhe nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në një reagim në rrjete sociale ku shkruan se intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. “Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e BE. Sakaq kujtojmë se Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, hodhi poshtë akuzat e Ilir Metës se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Në një reagim për mediat, Dumani thotë se nuk ka pasur asnjë takim të mëparshëm me McGonigal, dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediat shqiptare. Por sërish Ilir Meta s’i ndali sulmet ndaj Dumanit, duke hedhur akuza se është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
