Jozefina Topalli mbron procesin në Partia Demokratike: Rasti i Sali Berisha është unik, ka kapërcyer kufijtë politikë dhe ka hyrë në territorin e simbolikës

Data

Deputetja e Partia Demokratike, Jozefina Topalli, ka komentuar procesin zgjedhor për kreun e PD-së dhe figurën e Sali Berisha, i cili garon i vetëm për drejtimin e partisë.

E pyetur mbi sa demokratik mund të konsiderohet një proces ku anëtarësia ka vetëm një kandidat për të votuar, Topalli u fokusua te rrugëtimi politik i Berishës, duke e cilësuar atë një rast të pazakontë në politikën shqiptare.

“Në fund, politika është provë karakteri. Ka liderë që në pushtet janë të fuqishëm për shkak të pushtetit. Janë shumë të rrallë ata që bien në këmbë kur iu heq gjithçka”, deklaroi Topalli.

Sipas saj, Berisha është përballur me presion dhe izolim politik të paprecedentë, duke përmendur shpalljen “non grata”, humbjen e vulës së partisë dhe zhvillimin e fushatës në kushte të vështira ligjore.

“Në rastin e zotit Berisha ka ndodhur një rast shumë unik. Është sulmuar në mënyrë të paprecedentë, është lobuar që ta shpallin ‘non grata’, ka pasur një izolim planetar si kurrë më parë dhe ja ka dalë të rikthehet përmes besimit të njerëzve”, u shpreh ajo.

Topalli theksoi se mbështetja elektorale që Berisha ka marrë e vendos figurën e tij përtej logjikës tradicionale politike.

“Kur liderit i heq instrumentet më normale politike, ti i ke kapërcyer kufijtë politikë. Dhe kur ai në këto kushte merr besimin e mbi gjysmë milioni shqiptarëve, hyn në një territor tjetër që është territori i simbolikës”, tha deputetja demokrate.

Ajo shtoi se në këtë “territor simbolik”, sipas saj, nuk funksionon më logjika klasike e establishmentit politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related