Zgjatja e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka alarmuar të bijën e ‘non-gratës’, Argita Berishën. Ditën e djeshme, ajo dhe avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë dalë në një konferencë për shtyp teksa argumentonin se zgjatja e hetimeve të SPAK për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin janë marrë pa asnjë provë të re. Argita në fjalën e saj u shpreh se qëllimi i vetëm është t’i digjet mandati Sali Berishës si dhe të goditet opozita në një vit elektoral. “Vendimi që daton 29 mars të këtij viti zgjat afatin e hetimit deri në korrik të vitit 2024, ndërkohë që nuk sjell asnjë provë të re, përveçse një ri përmbledhje të atyre që janë paraqitur në vendimin e gjykatës të tetorit. Vetëm në 8 rreshta është argumentimi se pse po zgjaten hetimet. Argumentimi nuk ka asgjë konkrete, veç thuhet se çështja është komplekse dhe na duhet më shumë kohë. Duke qenë në fazë hetimi, lideri i opozitës rri në arrest shtëpie, po ashtu ehe Jamabër Malltezi, pa asnjë fakt, pa asnjë provë, pa asnjë argument, thjesht me vendim të SPAK-ut. Ky është de facto zgjatje e masës së arrestit shtëpiak sepse i tillë është urdhri i Edi Ramës. Kjo është një strategji e mirë menduar dhe kriminale e SPAK që synon vetëm humbjen e mandatit të Sali Berishës në mandat dhe goditjen e opozitës në një vit elektoral,” tha Malltezi.
Argita Malltezi denoncon skandalin
Ndërkohë, Argita Malltezi gjatë fjalës së saj në konferencën për shtyp tha se zgjatja e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është bërë pa asnjë argument apo provë. Ajo e konsideron si një vendim i cili është marrë me arrogancë duke thënë sipas saj se hetimet janë zgjatur jo 6 muaj por 4 vite. “Ky vendim është marrë me arrogancë dhe pa asnjë argumentim. Janë 4 vjet hetime dhe jo 6 muaj. Sepse që në fillim këto hetime kanë qenë të targetuara te Berisha dhe Malltezi, duke mos i vënë në statusin e personit në hetim, për të mos u njohur të drejtat procedurale që u njeh ligji personave nën hetim. Por këto dokumente që datojnë që nga vitit 2021, dhe të tilla ka plot, tregojnë se ka një hetim pasuror të kapilarizuar dhe shtrihet që nga viti 1994. Për rrjedhojë hetimi nuk ka 6 muaj, por ka 4 vjet që ka nisur. Gjatë këtyre 4 viteve, sa herë Edi Rama lëshonte urdhra politikë për SPAK, SPAK intensifikonte lëshimin e akteve hetimore siç tregohet nga dokumentet. Të vetmit persona që në dosje janë provuar se kanë kryer vepër penale, janë Taulant Balla dhe Edi Rama. I pari që ka konsumuar veprën penale të kallëzimit të rremë, dhe i dyti shpërdorim detyre, siç është provuar me vendim gjykate, e cila ka përcaktuar edhe dënimin financiar që ka ardhur te financat publike si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të Edi Ramës. Sigurisht që SPAK nuk e mendon t’i marrë nën hetim këto persona, ndonëse ne kemi bërë një kallëzim për Ballën për kallëzim të rremë,” tha Argita Malltezi.
Argita Berisha: Do e fitojmë betejën politike
Gjithashtu nga ana tjetër, vajza e ish-kryeministrit foli me patos dhe bindje se do të fitojnë betejat politike edhe pse dita-ditës sistemi i drejtësisë po iu tregon fytyrën e vërtetë të vjedhjeve galopante të kryera ndër vite me në krye Sali Berishën. Argita Berisha në konferencën për mediat tha se do të fitojnë këtë betejë politike pavarësisht modaliteteve apo ulje-ngritjeve që do të hasin rrugës. “Unë sot nuk kam asnjë dyshim për kapjen e sistemit të drejtësisë në të gjithë zinxhirin e saj. Për kapjen e Gjykatës së Lartë, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Por është detyrë e secilit prej nesh të besojmë dhe të shpresojmë për normalitetin. Ne betejat i bëjmë dita-ditës. Kjo është një betejë për ta fituar. Do fitojmë njëherë këtë betejë dhe nuk kam asnjë dyshim që do fitojmë, pavarësisht se cilat do jenë modalitetet dhe ulje-ngritjet që do kemi,” tha Malltezi.
