SHBA merr në mbrojtje drejtësinë e re pas sulmeve dhe pazareve të pista të krimit dhe politikanëve të korruptuar për të sabotuar Reformën në Drejtësi, trajnime të reja nga amerikanët për prokurorët e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë sërish në mbrojtje të drejtësisë së re, pasi kjo e fundit është vënë në qendër të sulmeve e pazareve të krimit dhe politikanëve të korruptuar, të cilët synojnë të sabotojnë Reformën në Drejtësi dhe organet e dala prej saj si Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Prokurorët e SPAK kanë marrë pjesë në një seminar të organizuar nga Zyra e SHBA për Zhvillimin, Asistencën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë shtetit. Me këtë rast ka ardhur edhe një reagim i ambasadës së SHBA në Tiranë që shpreh edhe një herë mbështetjen për ekipin e SPAK. Konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet këtij angazhimi përforcojnë mbështetjen e qëndrueshëm për një sistem drejtësie që shqiptarët duan dhe e meritojnë, duke iu dërguara kështu një mesazh të fortë të korruptuarve dhe inkriminuarve se i presin ditë të vështira. Të drejtpërdrejtë në atë që thonë, amerikanë shprehen se mbështesin fuqishëm SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. “Prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) morën pjesë së fundmi në një seminar të organizuar nga Zyra e SHBA për Zhvillimin, Asistencën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë shtetit (OPDAT). Ekipi i SPAK diskutoi arritjet dhe strategjitë e tyre për të përmirësuar punën ekipore, për të përmirësuar përpjekjet e tyre dhe për të rritur rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi krenarë që mbështesim angazhimin e SPAK për integritet dhe drejtësi. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mosndëshkimit, duke përforcuar angazhimin tonë të qëndrueshëm për një sistem drejtësie që shqiptarët duan dhe e meritojnë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

SPAK falënderon Wisner: Angazhim maksimal për misionin kushtetues

Ndërkohë i ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner përmes një letre dërguar krerëve të institucioneve të Drejtësisë vlerëson performancën e tyre gjatë raportimit vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar përmes një postimi në rrjetin social X falënderoi sot të ngarkuarin me punë në ambasadën amerikane në Tiranë David G. Wisner, për atë që e cilëson si “letër personale mbi vlerësimin e raportit vjetor të prezantuar në KLP”. “SPAK falënderon të Ngarkuarin me punë David G. Wisner @USEmbassyTirana , për letrën personale mbi vlerësimin e raportit vjetor të prezantuar në KLP. SPAK nënvizon angazhimin maksimal për të përmbushur misionin kushtetues në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, thuhet në postim. Ndërkaq bëjmë me dije se në letrën e Wisner vlerësohet se drejtuesit e Drejtësisë thanë të vërtetën, folën hapur dhe duke evidentuar mangësitë do të bëjnë që institucionet e tyre të bëhen më të mira dhe të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar të cilit i shërbejnë.

Reagon BE

Nga ana tjetër mesazh të korruptuarve dhe inkriminuarve iu ka dërguara edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato. Ky i fundit gjatë një interviste për Deutsche Welle (DW) theksoi se mbështet reformën në drejtësi dhe SPAK. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është kyçe për afrimin Shqipëri –BE. “Nuk dua të vendos shumë përgjegjësi mbi supet e zotit Dumani, pasi është SPAK-u që po jep kontribut për progresin e Shqipërisë në agjendën e anëtarësimit dhe arsyeja pse e them këtë, është se siç e dini, një nga elementët e rëndësishëm të negociatave është kapitulli i shtetit ligjor, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që është kyç. Mendoj se SPAK-u po jep një kontribut shumë të madh për këtë dhe kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë dhe vendosmërinë e saj për trajtimin e këtyre fenomeneve. SPAK-u ka qenë një ndër elementët kyç të reformës në drejtësi. Ne vazhdimisht e kemi përkrahur dhe mbështetur reformën në drejtësi. Ne duam ta shohim atë të zbatohet siç duhet, me efikasitet, ndaj kemi shprehur gjithashtu mbështetjen tonë për SPAK-un ndër vite. Takimi që pata me zotin Dumani ishte pikërisht për të koordinuar më mirë mënyrën se si ne, por edhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet anëtare të BE-së, e ndihmojmë SPAK-un të zhvillojë kapacitetet e veta për të kryer rolin e vet. Lidhur me pritshmëritë, ajo që është më e rëndësishme se pritshmëritë e mia apo të BE-së, janë pritshmëritë e popullit shqiptar. Përmes dy sondazheve të kohëve të fundit kemi parë se, në fakt, niveli i besimit të shqiptarëve te sistemi i drejtësisë është rritur. Ka qenë shumë i ulët, por me hetimet e fundit të bëra nga SPAK-u, mendoj se njerëzit kanë një besim të përtërirë tek institucionet shqiptare dhe kjo është thelbësore”, deklaroi ambasadori Gonzato.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related