Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin “burg për jetë” për Laert Haxhiun, i cili akuzohet për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë.
I ftuar në një studio televizive, gazetari Ermal Vija tha se Laert Haxhiu ka qenë një nga pesë më të kërkuarit të Policisë së Shtetit, ndërsa nënvizoi se ai ka pretenduar se transferimi i tij në Shqipëri mund t’i rrezikojë jetën.
“Ka qenë nga pesë më të kërkuarit e Policisë së Shtetit. Ai është arrestuar në Greqi, dhe ishte në kërkim për disa ngjarje të rënda kriminale. Ka një sërë provash, pamje filmike që janë identifikuar nga hetuesit, kur është evidentuar që bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, dosja është transferuar në Prokurorinë e Posaçme. Laert Haxhiu është i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Laert Haxhiu fillimisht është arrestuar nga policia greke si person me dokumente të falsifikuara, por më pas ka rezultuar person me precedent kriminal. Ai pretendon se transferimi në Shqipëri mund t’i rrezikojë jetën për shkak të përplasjeve që ka pasur me bandën e Aldo Bares”, tha gazetari Ermal Vija.
Haxhiu është duke u gjykuar ne mungesë për atë qe njihet si Masakra e Lushnjës e ndodhur në shtator te 2017. Në atë ngjarje humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Gjithashtu Laert Haxhiu akuzohet nga drejtësia shqiptare se bashkë me disa persona të tjerë, është autor i 18 krimeve në Shqipëri, përfshi 4 vrasje dhe disa shpërthime me tritol.
