Pas 4 muajsh negociata Partia Socialiste dhe Rithemelimi gjetën dakordësinë për miratimin e amnistisë penale, e cila mbeti prej muajsh në Kuvend për shkak të kaosit, duke rikthyer kështu pazarin e madh Rama-Berisha të 2008, të cilët “çimentuan” pushtetin e tyre si mbretër me ndryshimet kushtetuese. Kështu me 110 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër Kuvendi i dha dje dritën jeshile amnistisë penale, nga e cila do të shpërblehen zyrtarët e korruptuar dhe zyrtarë të dënuar nga GJKKO-ja. Po ashtu kjo amnisti ndëshkon opozitarë dhe protestues të tjerë. Sa për kategoritë që përfitojnë sipas këtij propozimi, ata janë fare të qartë, ndërkohë që i bëhet hapur atentat SPAK-ut dhe Reformës në Drejtësi. Sipas pazarit, Rama-Berisha përfitojnë zyrtarët e dënuar apo të hetuar në nenin 244 – Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; ata të hetuara nga Neni 244/a -Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë; ata të hetuar nga Neni 245 – Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Pra duket qartë se kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha nuk i interesojnë qytetarët, por interesi i tyre. Thënë troç me votimin e djeshëm të amnistisë dje, Rama dhe Berisha konfirmuan se janë bashkë në një aleancë kundër Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Votimi
Konkretisht dje me 110 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër Kuvendi i dha dritën jeshile aministisë penale, nga e cila 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Votimi u duartrokit si nga deputetët e PS-se ashtu dhe të Rithemelimit të pranishëm në sallë të cilët bashkuan votat, ndërsa deputetët e grupit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha u larguan sapo amendamentet e tyre u rrëzuan, përveç Ori Nebiajt dhe Eralda Tases që votuan pro. “Keni rënë dakord të votoni amnistinë si pazari ua ka diktuar”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj para se amendamentet e propozuara prej tyre të hidheshin në votim e të rrëzoheshin, teksa u miratuan amendamentet e propozuara nga Gazment Bardhi. Ndërkohë Agron Shehaj ishte kundër, ndërsa Ermonela Felaj abstenoi. Ndërkaq Manja bëri me dije se nuk do të përfitojë asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme. Ministri bëri me dije se po ashtu do të përfitojnë personat të cilët kanë vendim të formës së prerë deri në datë 31 mars 2024.
Çfarë ndodhi?
Më herët gjatë ditës së djeshme Kuvendi u përfshi në debate të ashpra, ku kryedemokrati Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj hodhën akuza të forta për pazar për të amnistuar të dënuarit nga Gjykata e Posaçme. “Një amnisti që shpërblen zyrtarë të korruptuar dhe dënuar nga GJKKO dhe ndëshkon opozitarë dhe protestues të tjerë. Është Pazar anti-SPAK, anti-drejtësi, përfitojnë të korruptuarit, përfshirë zyrtarë të lartë siç është ish-sekretarja e përgjithshme e Shëndetësisë”, tha Basha. Ndërsa akuzat i hodhi poshtë Bardhi. “Asnjë politikan nuk përfiton, asnjë zyrtar i lartë i korruptuar”, tha Bardhi. Po ashtu akuzat e PD zyrtare i hodhi poshtë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja duke thënë se asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO nuk përfiton. “Mos bëni politikë me këtë çështje. Hapni sytë dhe lexojeni ligjin se jeni juristë. Asnjë i dënuar nga GJKKO nuk do të përfitojë. Madje janë depozituar dhe kërkesat e opozitës, për protestuesit, ata që kanë proceduar në këtë vend, që ndiqen penalisht nga drejtësia”, tha ministri Manja. Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së djeshme u votuan dhe 5 ligjet e seancës së 7 marsit, votimi i të cilave u anulua nga Sekretariati i Etikës pas kërkesës së Rithemelimit se nuk pati kuorum për votimin e ligjeve. Ndër këto 5 ligje, përfshihet edhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatit për ligjet për investimet strategjike, çështje të cilën opozita e ka kontestuar shumë.
Ja kategoritë që përftojnë
1. Përfitojnë zyrtarët e dënuar apo të hetuar në nenin 244 – Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
2. Neni 244/a -Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë
3. Neni 245 – Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
4. Neni 245/1 -Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
5. Neni 257/a-Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…
6. Neni 258-Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
7. Neni 259-Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
8. Neni 259/a-Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,
9. Neni 260-Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
10. Neni 312-Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
11. Neni 319-Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.
12. Neni 319/a-Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare
13. Neni 319/b-Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj
14. Neni 319/c-Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja
15. Neni 319/ç-Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë
16. Neni 319/d-Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare
17. Neni 319/dh-Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj
18. Neni 319/e-Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja
19. Neni 328 – Korrupsioni aktiv në zgjedhje
20. Neni 328/a -Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhor
