Ditën e djeshme, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar zyrtarisht akuzat Arben Ahmetajt. Mbi ish zv. Kryeministrin rëndojnë akuzat për korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim pasurie. SPAK gjithashtu i ka komunikuar dhe akuzat dhe “trurit” të Inceneratorit, Mirel Mërtirit. Mësohet se në mungesë të Mërtirit, i cili është shpallur në kërkim, akuza i është komunikuar avokatit të tij. Mirel Mërtiri akuzohet për veprat penale “korrupsioni” dhe “pastrim parash”, lidhur me aferën e Inceneratorit të Elbasanit. Gjithashtu edhe avokati i Klodian Zotos u njoh me akuzat ndaj klientit të tij për “pastrim parash” si dhe “korrupsion”. Edhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka është marrë e pandehur. Ish-bashkëshortja e Ahmetajt akuzohet për dy vepra penale ‘Fshehje pasurie’ dhe ‘Pastrim të produkteve të veprës penale’.
Çfarë tha Albina Mançka në SPAK?
Mançka është pyetur nga prokurorët, në lidhje me pasurinë që ka ndarë me ish-zv-kryeministrin e vendit. Lidhur me vilën që u është sekuestruar në Gjirin e Lalëzit, ajo u shpreh se nuk është në pronësi të saj, por i është lënë për përdorim nga shoqja e saj, e cila jeton në Zvicër. Në rrëfimin e saj, ajo u shpreh se në emër të saj ka vetëm një shtëpi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Jashtë, e pyetur nga gazetarët për një koment për ish-bashkëshortin e saj, ajo zgjodhi heshtjen!
Detajet
Ish-zv/kryeministri,Arben Ahmetaj, prej korrikut të vitit të kaluar ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim. Ai dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Biznesmeni Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorëve. Mërtiri u shpall në kërkim pasi nuk u gjet në banesë në momentin kur policia ka shkuar për të ekzekutuar urdhër-arrestin e firmosur nga SPAK. Në kërkim për këtë çështje u shpall edhe edhe Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Kjo e fundit është edhe bashkëjetuesja e Mërtirit, me të cilin ka edhe dy fëmijë. Në njoftimin e bërë asokohe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhej se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të “Korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim. Kujtojmë se pak javë më parë, Arben Ahmetaj theksoi në një intervistë se ka marrë kërcënime ndërsa nuk kursen as shënjestrimet ndaj kolegëve socialistë që sipas tij u angazhuan për ta sulmuar. Ahmetaj hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke e cilësuar sulm, ndërsa paralajmëroi publikimin e dokumenteve që sipas tij, nuk ka qenë ai që ka kërkuar dhe firmosur këto projekte.
