Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë mirëpritur dakordësinë mes Rithemelimit dhe PS-së për ngritjen e komisioneve hetimore. Në reagimet e bëra dje në faqet zyrtare të ambasadave të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe marrëveshja shihet si lajm i mirë që pritet të rikthejë normalitetin në Kuvend. Ambasada Amerikane shprehet se institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme.“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA. Ndërsa, BE thekson se një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament. Siç kemi thënë dhe më parë, një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve”, thekson BE. Nga ana tjetër, Ambasada britanike shprehet se presin me padurim rikthimin e rendit normal në Parlament.“Ambasada Britanike në Tiranë përshëndet progresin e njoftuar në lidhje me Parlamentin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që u përfshinë për ta bërë këtë të mundur. Presim me padurim rikthimin e rendit normal në Parlament. Është thelbësore që deputetët e të gjitha partive të fokusohen në rolet e tyre kryesore, në shqyrtimin e legjislacionit dhe punës së qeverisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.
Reagon PD zyrtare
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj ka bërë një reagim në lidhje me dakordësinë e arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore në këmbim të rikthimit në normalitet të jetës parlamentare. Revolucioni i Rithemelimit, siç nënvizon Alibeaj paska qenë një gënjeshtër. Dje, përmes një deklarate për mediat, ai shprehet se kjo marrëveshje ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore. “Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe që publiku i njoh, mund të thuhet me gojën plotë se, asgjë e re nga fronti i pazareve të vjetra! Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër e stisur keq që, herët a vonë, do të dilte në dritë. E gjithë nëpërkëmbja e demokratëve për muaj me radhë nuk ka pasur asgjë në interes të tyre dhe të familjeve të tyre, por gjithçka ka qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur fort njëri-tjetrin në lojë, sepse rënia e njërit i hap rrugë automatikisht dhe rënies së tjetrit. Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë. Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore”, tha ai. Alibeaj theksoi se Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës. “Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë. Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj. Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e herësit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm. Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës, sepse herë njëri dhe herë tjetri, janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të shqiptarëve”, nënvizoi Alibeaj
