Thellohet hetimi pasuror për familjen Meta-Kryemadhi, SPAK hap një nga një “petët e lakrorit” për njerëzit e tyre më të besuar të përfshirë në skemat e pastrimit të parave, lëvizjes së lekëve drejt Anglisë dhe shoqërive offshore, nën lupën e drejtësisë edhe biznesmenë

Data

Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet për familjen Meta-Kryemadhi. Duke iu referuar dosjeve të tyre në SPAK, prokurorët kanë futur në skaner udhëtimet e shpeshta drejt Anglisë të Elona Gurit, ish-kandidate për deputete e LSI-së, vëllait të Monika Kryemadhit, Drini Kryemadhit, fëmijëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Emri i Elona Gurit është pjesë e kallëzimit penal, ku në dokumente ajo përshkruhet si pjesë e njerëzve të besuar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të përfshirë në skemat e pastrimit të parave të korrupsionit, si dhe të lëvizjes së parave drejt Anglisë dhe shoqërive offshore. Sipas materialit, Elona Guri nuk i justifikon me burime të ardhurash udhëtimet e shpeshta në Angli, ku pretendohet në kallëzim se ka dërguar para për të mbuluar shpenzimet për shkollim të fëmijëve të Metës. SPAK ka nisur hetime për këtë pretendim dhe shuma akuza të tjera ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, shoqëruar edhe me dokumente. “Sipas informacioneve të marra disa individë të caktuar pranë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët edhe gjatë karrierës së tyre kanë pozicione kontradiktore, kanë pastruar paratë të cilat i janë dhënë cash nga çifti Meta- Kryemadhi dhe janë futur në llogaritë e tyre bankare për të kryer transferta drejt shoqërive offshore ose shoqërive të tjera në interes të LSI… Elona Guri është po aq e rëndësishme në skemat e pastrimit të parave të familjes Meta  -Kryemadhi. Ajo rezulton të jetë pjesë e skemave të financimit të kompanive lobuese në SHBA dhe offshore. Elona Guri ka mbuluar shpenzimet e fëmijëve të Ilir Metës gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar, duke udhëtuar çdo javë drejt Anglisë pa pasur burime të justifikuara mbi shpenzimet e bëra. Mjafton të verifikohen udhëtimet e Elona Gurit jashtë Shqipërisë dhe qartazi del në pah fakti se ka pamundësi për t’i mbuluar ato shpenzime. Gjithashtu mister mbetet fakti përse ky person e ka nisur karrierën si babysitter e fëmijëve të familjes Meta, më pas asistente e Ilir Metës, donatore e LSI, financuese e skemave të Ilir Metës, postiere e parave të Ilir Metes drejt Anglisë dhe së fundmi kandidate për deputete në qarkun Durrës”, thuhet në materialin kallëzues.  Mësohet gjatë hetimeve që nisën në bazë të këtyre materialeve, SPAK ka sekuestruar dhe telefona e dokumente te rëndësishme për bashkëpunëtorët e çiftit Meta-Kryemadhi. Dyshohet se në SPAK janë thirrur dhe biznesmenë që në prapaskenë pastrojnë paratë e pista të ish-presidentit dhe deputetes së PL. Gjithashtu në skaner është edhe një skemë korrupsioni dhe dyshime për pastrimi parash nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, duke përfshirë vëllanë e Monikës, Drini Kryemadhi, mamanë e tij Fatime Kryemadhi, vjehrrin e Drinit (Nuri Peti), kompaninë e ndërtimit Tirana DKK, si dhe kompaninë e kolaudimit të makinave SGS, e favorizuar nga Meta kur ishte në pushtet. Hetimet vijojnë dhe pasuritë e futura në skaner për familjen dhe bashkëpunëtorët e tyre pritet të nxjerrin “perla”.

Detajet nga hetimet

Lidhur me hetimet e thelluara të  pasurisë nga SPAK ndaj çiftit Meta-Kryemadhi gazeta “SOT”, ka pyetur dhe juristin Romeo Kara, i cili është denoncuesi i aferës CEZ-DIA që ka bërë SPAK ta thërrasë Metën dy herë në Prokurorinë e Posaçme. Juristi komentoi lëvizjen e Kryemadhit në datë 1 mars, e cila ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për t’iu kthyer celulari, pas rrëzimit të kërkesës nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Ai tha se flitet për pasuri të shumta që ky çift ka dhe në të ardhmen ata do ti bien pishmanit për ato që kanë bërë pasi drejtësia do t’i fundosë. “Kodi i procedurës ja njeh këtë të drejtë çdo personi. Meqenëse ajo se ka zgjidhur në të dyja shkallët e para të gjykimit nuk besoj se Gjykata e Lartë do të dali kundër dy shkallëve të para dhe të rrëzojë kërkesën e SPAK që ka kërkuar që Kryemadhi të provojë që telefoni është i saj. Në këtë rast me sa duket telefoni do i jetë sekuestruar ndonjë të afërmi të tyre. Ka një proces penal të bashkuar Meta-Kryemadhi. Për mua nëse shtohen edhe persona të tjerë kemi të bëjmë me një krim të organizuar nga kjo familje. Janë të përfshirë të dy burrë dhe grua, në të ardhmen do ti bien pishmanit për ato që kanë bërë. Kallëzimi është për të dy dhe kjo është e rëndë, ku politika është e kapur nga familje të veçanta. Por, duhet që të ketë një përshpejtim të hetimeve, hetimet duan kohë, por SPAK duhet që të 10-fishohet. Nuk mund të presim më, këta persona na kanë mashtruar dhe kanë përdhunuar vendin në të gjitha kuptimet. Nuk bëjmë asnjë hap tjetër, nëse drejtësia nuk thotë fjalën e saj. Ata duhet që të dalin para përgjegjësisë, për ato që kanë bërë. SPAK duhet të zgjerohet, kaq e vështirë është kjo gjë. Ne jemi të vjedhur, këta persona kanë ardhur në pushtet me një premtim të caktuar dhe kanë bërë tjetër gjë. Ata dalin dhe i thonë popullit që më jep votat sepse do bëjë këtë dhe kanë bërë të kundërtën e asaj. Kur ai ka prishur këtë kontratë, ca kuptimi ka. Po kush është Monika? Monika është një person që nuk pati skrupujt që mund të ketë një njeri, gjeti shesh dhe bëri përshesh, bëri një parti familjare. Flitet për pasuri të shumta që ata kanë. Po kush janë këta që nuk dalin para ligjit? Nga kanë zbritur këta? Këta nuk kanë zbritur nga qielli. A ka mundësi që të shpejtohen këto procedura, ne jemi vjedhur si popull dhe ata duhet që ti gjejnë provat. Nëse si bënë këta, kush e ç’bëri vendin. Ne nuk mund të ngopemi më me lug të zbrazur, ata duhet që të japin llogari”, u shpreh juristi Romeo Kara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related