Hesapet me drejtësinë për shkak se po hetohet për disa dosje korruptive, duket se kanë alarmuar kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka nxirë Shqipërinë në mediat greke dhe ka sulmuar ashpër prokurorët e gjyqtarët e SPAK. Meta ka folur në një intervistë për median greke, ndërsa shprehu bindjen se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri u rrëmbye dhe se arrestimi i tij është politik. Meta theksoi se çështja Beleri tregon se drejtësia është e kapur nga kryeministri Rama duke e quajtur Gjykatën e Posaçme, gjykatë politike të Ramës. Kreu i PL-së tha gjithashtu se çështja ndaj Belerit ka qenë e parafabrikuar. “Nuk është Gjykata Speciale, është Gjykata e Ramës, është gjykatë politike. Beleri nuk u arrestua, ai u rrëmbye dhe të gjithë e dinë se gjithçka ishte e parafabrikuar. Kryeministri në një intervistë televizive, disa orë përpara se Policia ta rrëmbente Belerin, kryeministri pra e paralajmëroi Belerin se do merrej personalisht me të. Unë besoj se Beleri është kryetari legjitim i Bashkisë së Himarës, i zgjedhur nga njerëzit, i konfirmuar nga KQZ dhe sipas Kushtetutës sonë, asgjë nuk mund ta ndalojë që të bëjë betimin. Drejtësia këtu është totalisht e kontrolluar nga Rama. Kjo çështje është vetëm politike, dhe nuk ka aspak të bëjë me respektin ndaj ligjit, ndaj Kushtetutës dhe ndaj vullnetit të njerëzve. Unë mendoj se çështja Beleri është një çështje e qartë, në të cilën gjithë bota mund të shohë që në Shqipëri sundimi i ligjit nuk ekziston. Grupet kriminale mbështetën hapur kandidatët e Ramës, duke dhunuar hapur vullnetin e njerëzve”, deklaroi Meta në mediat greke.
Meta zbret në bazë
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shfrytëzuar izolimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa zhvilloi ditën e djeshme një takim me strukturat e PL në qarkun e Fierit, lëvizje kjo që e forcon në rrafshin politik. Kryetari i PL-së, Ilir Meta ka deklaruar se çështja e Sali Berishës është politike, e urdhëruar nga Rama me qëllim që të diktojë opozitën. Në një prononcim për mediat nga Fieri, Meta deklaroi se protesta e 20 shkurtit dha një mesazh të fuqishëm. “Sa i takon zotit Berisha kjo është një çështje 1000% politike, e urdhëruar nga Rama, që synon izolimin e tij me shpresën për të diktuar dinamikën brenda kampit opozitar dhe për të nxitur përçarje. Por mitingu i 20 shkurtit dha një mesazh të fuqishëm dhe absolutisht përpjekjet e tij për të shkatërruar pluralizmin politik janë të pashpresa. Shumë shpejt do të vendoset rendi kushtetues në vend dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kushtetutës dhe nëpërkëmbjen e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai. Ndërkohë sa i takon votës së emigrantëve, Meta u shpreh se Rama është i tmerruar nga kjo, por theksoi se PL do të bëjë çdo përpjekje për të mundësuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë. “PL ka qenë dhe është e vendosur për votimin e emigrantëve. Ai që ka tmerr është Edi Rama. Ne do bëjmë çdo përpjekje brenda mundësive tona që ata të kenë këtë mundësi, që ta japin votën e tyre aty ku janë”, tha Meta.
Kreu i PL: S’kanë gojë të flasin ata për Berishën
Ndër të tjera, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ngriti shqetësimin e mungesës së investimeve në shumë fusha të jetës, duke u ndalur tek pensionistët. Sipas tij, qeveria socialiste ka vjedhur pensionistët dhe me ato para kanë bërë PPP për rrugë të florinjta që shkatërrohen. “Ndaj duam pensione që të jetojnë prindërit tanë me dinjitet dhe mos varen nga ndihma e fëmijëve. Kemi vetëm një rrugë, të çmontojmë këtë sekt nga pushteti. Për këtë duhet të takojmë çdo pensionist të Shqipërisë dhe ti sqarojmë programin tonë për pensionet. Mos u shqetësoni po të thonë ata jo po pensioni aq, Berisha aq…Nuk kanë gojë të flasin ata për Berishën. Nuk ka krahasim nga 2005-2013 me rritjen deri në 2023. Qeveria ka shkelur edhe ligjet ekzistuese. 70-80 mijë lekë në muaj çdo pensionisti në zonat urbane, rreth 30-40 mijë lekë në muaj, pra rreth 400 mijë lekë në vit ja ka borxh çdo pensionisti në zonat rurale kjo qeveri. Këto lekë janë marrë për të bërë PPP ato rrugët që i keni parë që rrëzohen, rrugët e florinjta që janë 5-6 herë më të shtrenjta sesa në Malin e Zi”, nënvizoi Meta.
