Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar refuzimin e ftesës nga ana e kreut të PD-së, Lulzim Basha për t’iu bashkuar marrëveshjes së krijimit të Federatës së Opozitës.
Meta, në një konferencë për mediat, u shpreh se nuk e ka parë kush e ka firmosur dokumentin.
“Më është propozuar dokumenti nga ana e PD-së, është shumë parimor dhe në përputhje me qëllimet e Partisë së Lirisë.
Nuk kam parë se kush e ka firmosur dokumentin, por kam firmosur siç do bëja për gjithçka që do kthente vendin në shinat kushtetuese dhe për të pasur një demokraci funksionale”, tha Meta.
I pyetur nëse Basha duhet të jetë pjesë e Federatës, Meta u shpreh se: “Nuk jam këtu për të përjashtuar askënd që ka vullnet dhe dëshirë, si edhe është i lirë për tu vendosur përballë narkoshtetit. Çdo njeri që ka dëshirë të përballet me regjimin është i mirëpritur në tryezë. Duhet të pyesni iniciatorët e asaj tryeze, nuk kam qenë unë iniciatori.”
MARREVESHJA
Marrëveshja parashikon institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.
Opozita e bashkuar rikonfirmon vendosmërinë për t’u përballur, sic thote ajo “me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, që gjatë qeverisjes së tij ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike”.
Federata e Opozitës së Bashkuar ka shpallur edhe prioritetet që janë, “garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, përmes realizimit të një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, që siguron një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe nevojën për të koordinuar përpjekjet për rikthimin e pluralizimit dhe demokracisë funksionale”
