Në Shqipëri ndotja akustike është mbi normë në shumicën e qyteteve.
Shkak për këtë është bërë fluksi i madh i automjeteve, gjendja motorike e tyre, punimet në ndërtim, mungesa e brezit mbrojtës të gjelbër midis zonave të banuara dhe rrugëve kryesore.
Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2022, 21 Dhjetori mbetet zona më e zhurmshme gjatë ditës jo vetëm e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë. Gjatë vitit 2022 niveli i zhurmave ditën e tejkaloi me 25% standardin e OBSH dhe ligjit shqiptar.
Ndërkohë që në rang vendi: Shkodra dhe Tirana janë dy qytetet më të zhurmshme, Tirana prodhon ndotjen akustike më të lartë gjatë natës, ndërsa Shkodra gjatë ditës.
Ndërsa sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, qytetet më të qeta rezultojnë Kukësi dhe Berati.
Nga monitorimi i zhurmave urbane për vitin 2022 rezulton se në qytetin e Kukësit nuk kemi tejkalim të nivelit të zhurmave ditën dhe natën. Në qytetin e Beratit nuk kemi tejkalim të normës natën.
Përmes një udhëzimi të posaçëm janë përcaktuar edhe nivelet kufi të çdo lloj zhurme, që do të inspektohet nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake. Për shkeljen e normave parashikohen gjoba nga 5 000 lekë deri në 50 mijë Lekë.
