Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke deklaruar se skandalet e ditëve të fundit, përfshirë çështjen e 50 milionë eurove të lidhura me tunelin e Llogarasë dhe hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, do të mjaftonin që një qeveri normale të binte menjëherë.
Gjatë një interviste në “Kjo Javë” në News 24, Paloka u shpreh se opozita ka bërë detyrën e saj me denoncime dhe protesta, por theksoi se pa reagimin e qytetarëve, ndryshimi nuk mund të vijë.
“50 milionët e Ballukut mjaftojnë, nuk duhen as përgjime”
“Ka 12 vite skandale pa ndërprerje. Mjafton vetëm skandali i Belinda Ballukut me 50 milionë eurot. Aty është ‘kallëpi’, nuk duhen më as përgjime, asgjë tjetër. Opozita ka bërë detyrën e saj, sepse opozita ka vetëm denoncimin në dorë. Po kërkojnë të dimë pse nuk e rrëzojmë Ramën? Ku ka rënë ndonjëherë qeveria kështu, përveç vitit ’97, dhe atëherë me marrëveshje?”, tha Paloka.
“Protestat kërkojnë organizim dhe para, por shqiptarët duhet të ngrihen vetë”
Paloka theksoi se protestat e mëdha kërkojnë organizim të madh dhe burime financiare, por shtoi se ndryshimi vjen vetëm kur qytetarët bashkohen.
“Protesta nuk rrëzon qeverinë të nesërmen. Ajo shërben për të ngritur zërin dhe denoncuar. Në vendet e rajonit njerëzit ngrihen vetë – kështu duhet të ndodhë edhe këtu. Shqiptarët duhet të jenë ata që thërrasin Berishën që të vijë tek protesta, jo Berisha ata”, tha Paloka.
Ai akuzoi qeverinë se përdor propagandë për të ulur rëndësinë e protestave dhe për të krijuar përçarje.
Becchetti, AKSHI dhe frika e Ramës
Deputeti i PD-së u ndal edhe te çështja e dëmshpërblimit prej 110 milionë eurosh ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke thënë se shqiptarët po paguajnë korrupsionin e qeverisë.
Sipas tij, Edi Rama po e mbron me çdo kusht Ballukun sepse e ka ndjerë se po i afrohet radha për t’u hetuar.
“Rama po mbron Ballukun sepse ka frikë se si po shkojnë gjërat, nesër mund të jetë ai në SPAK. Janë 50 milionë euro të futura në xhep, shqiptarët paguajnë gjithçka nga taksat e tyre”, u shpreh Paloka.
Mesazhi i fortë: “Shqiptarët të ngrihen për veten, jo për karriget tona”
Në fund, Paloka u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë:
“Shqiptarët nuk duhet të ngrihen për karriget tona, por për veten dhe fëmijët e tyre që po vidhen çdo ditë. Propaganda e Ramës kontrollon gjithçka, ndaj detyra e qytetarëve është të reagojnë. Të gjithë milionat që vidhen i paguan populli.”
