Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, ka prezantuar një kërkesë zyrtare në Kuvend për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të shqyrtojë investimet në infrastrukturën rrugore në Shqipëri.
Kërkesa është firmosur nga 39 deputetë të opozitës, përfshirë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, dhe synon verifikimin e ligjshmërisë dhe efikasitetit të projekteve rrugore të realizuara ndër vite.
Sipas Blushit, pavarësisht se në periudhën 2014–2025 janë investuar rreth 4 miliardë euro në rrugë, dëmtimet e fundit në shumë segmente tregojnë probleme serioze në planifikim, projektim dhe mbikëqyrje.
Ai përmendi një sërë akseve të dëmtuara, si Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Ersekë, Dardhë–Boboshticë dhe Unaza e Burrelit, duke theksuar se këto probleme kanë ndikuar jo vetëm në sigurinë e qytetarëve, por edhe në ekonominë dhe transportin kombëtar.
Në dokumentin e depozituar në Kuvend, deputetët argumentojnë se dëmtimet nuk mund të justifikohen vetëm me kushtet atmosferike, duke theksuar se nuk ka pasur reshje të jashtëzakonshme që të shpjegojnë situatën.
Komisioni hetimor i kërkuar do të ketë në fokus kontrollin e veprimtarisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar, respektimin e standardeve nga kompanitë ndërtuese, si dhe analizimin e rolit të institucioneve përgjegjëse në projektimin dhe zbatimin e veprave publike.
Po ashtu, synohet që në përfundim të hetimit të hartohen rekomandime konkrete për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së tyre në të ardhmen.
Kjo nismë vjen në një moment kur debati mbi cilësinë e infrastrukturës dhe përdorimin e fondeve publike është intensifikuar, ndërsa opozita kërkon transparencë dhe llogaridhënie për projektet madhore në vend.
