Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke e cilësuar si vendin kandidat më të përparuar në këtë proces.
Në një reagim publik, ajo bëri të ditur se me mbylljen e një tjetër kapitulli të negociatave, Mali i Zi ka arritur në total 14 kapituj të mbyllur, një tregues i rëndësishëm i avancimit në procesin e integrimit.
Megjithatë, Kos theksoi se pavarësisht këtij progresi, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ajo nënvizoi rëndësinë e vijimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e plotë në BE.
Deklarata e saj vjen në një moment kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përshpejtojnë proceset integruese, ndërsa Bashkimi Europian kërkon rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në reforma.
Mali i Zi konsiderohet prej kohësh si një nga vendet më të avancuara në negociatat me BE-në, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ritmi aktual i progresit do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kushteve për anëtarësim.
