Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve shqiptare në prag të mbylljes së vitit, duke e cilësuar këtë fundvit si një nga më të vështirët për shumicën e qytetarëve.
Në një reagim publik, Tabaku thekson se realiteti ekonomik është krejt i ndryshëm nga propaganda qeveritare. Ndërsa flitet për paga mesatare dhe rritje ekonomike, shumica e shqiptarëve përballen me pamundësinë për të mbuluar nevojat bazë të jetesës.
Sipas saj, paga reale mujore për pjesën më të madhe të qytetarëve është rreth 52 mijë lekë, ndërkohë që kostoja minimale e jetesës për një familje arrin rreth 80 mijë lekë në muaj. Vetëm shpenzimi për qira, që në shumë raste shkon në 35 mijë lekë, e bën të pamundur mbulimin e ushqimit, faturave, kujdesit shëndetësor dhe shpenzimeve për fëmijët.
“Llogaritë janë të thjeshta: pas qirasë, çfarë mbetet për të jetuar?”, thekson ajo, duke shtuar se shporta ushqimore është bërë gjithnjë e më e shtrenjtë dhe se produktet bazë kushtojnë në disa raste më shumë se në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që të ardhurat mbeten shumë më të ulëta.
Deputetja vë në dukje se nëse gjysma e shqiptarëve marrin më pak se 50 mijë lekë në muaj, atëherë ekonomia e vendit nuk funksionon për shumicën e qytetarëve. Sipas saj, kjo është prova më e qartë e dështimit të politikave ekonomike të qeverisë.
Tabaku kritikon edhe rritjen e pensioneve, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të përkohshme dhe politike, që nuk adreson varfërimin real dhe pabarazinë ekonomike.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për lëmoshë. Kanë nevojë për një ekonomi që u shërben njerëzve dhe familjeve, jo statistikave dhe propagandës”, shprehet ajo, duke kërkuar politika reale që mbështesin shtresën e mesme dhe rrisin fuqinë blerëse.
Sipas saj, pa reforma të vërteta ekonomike dhe pa mbështetje konkrete për familjet shqiptare, fundvitet do të vijojnë të jenë gjithnjë e më të vështira.
