Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku gjatë Foltores në Njësinë 2 në Tiranë, duke i cilësuar si simbol të korrupsionit dhe manipulimit të pushtetit.
Këlliçi deklaroi se gjyqtarja Irena Gjoka ka vepruar si “ushtare politike” e qeverisë, duke goditur opozitën dhe duke mbajtur Sali Berishën në arrest shtëpie për më shumë se 20 muaj. Sipas tij, kjo ishte një skemë e qëllimshme për të bllokuar opozitën para zgjedhjeve.
Ai përmendi gjithashtu ndjekjet penale ndaj figurave opozitare si Mediu dhe Meta, duke i cilësuar si pjesë e një fushate politike të dirigjuar nga pushteti. Sipas Këlliçit, akuzat e opozitës janë tashmë të faktuara dhe farsat elektorale janë denoncuar edhe ndërkombëtarisht.
Deputeti demokrat u ndal edhe te luksi i qeveritarëve, duke deklaruar se Rama konsumon shishe vere me vlerë 33 mijë euro, ndërsa qytetarët përballen me varfëri dhe padrejtësi. Ai theksoi se Rama, Balluku dhe zyrtarë të tjerë nuk përfaqësojnë qytetarë të ndershëm, por një elitë të korruptuar.
Në fund, Këlliçi bëri thirrje për mobilizim masiv në protestën kombëtare të 24 janarit, duke e cilësuar atë si ditë vendimtare për të ardhmen e vendit dhe përballjen me atë që ai e quajti “regjim i kalbur dhe i kapur nga korrupsioni”.
