Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar një seri denoncimesh që synojnë të godasin qeverinë e kryeministrit Edi Rama në zemër të saj. Një ditë më parë gazeta “SOT” zbuloi disa episode nga intervista shpërthyese e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj, e cila ishte e mbushur me akuza të rënda në “Syri TV”, ndërkohë që sot po pasqyrojmë me detaje disa nga denoncimet e forta të bërë prej tij. Duke i përshkruar me detaje të dhimbshme skandalet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes Rama, Ahmetaj ka shpallur një luftë të hapur kundër kryeministrit, duke e akuzuar atë për korrupsion galopant, keqmenaxhim dhe lidhje të dyshimta me krimin e organizuar.
Ahmetaj, tashmë në rolin e një “pentito” politik, ka sjellë një listë të gjatë denoncimesh, që variojnë nga shpenzimet ekstravagante të çiftit kryeministror, deri tek skemat miliarda euro të korrupsionit në projekte publike. Ai akuzoi Edi Ramën për luks të papërballueshëm, duke përmendur se kryeministri dhe bashkëshortja e tij kanë shpenzuar 10 mijë euro për seanca detoksifikimi dhe 30 mijë euro për një shishe verë. Ahmetaj përmendi gjithashtu raste të tjera të shpenzimeve luksoze, përfshirë bileta sportive me vlerë 28 mijë euro dhe udhëtime private me çartera, të cilat, sipas tij, janë financuar nga paratë publike.
