Debati për vrasjet e 21 janarit 2011 vijon të mbetet i hapur edhe pas 15 vitesh. Gazetarët Sokol Bregu dhe Pano Soko, të ftuar në një emision televiziv, deklaruan se ngjarja dhe katër viktimat janë përdorur politikisht nga të gjitha palët, ndërsa e vërteta ende nuk është zbardhur.
Sokol Bregu theksoi se përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te një emër apo një urdhër i shkruar. Sipas tij, në Kryeministri kanë qenë dhjetëra persona dëshmitarë të asaj që ndodhi dhe vetë fakti që u shkatërruan serverët, u refuzuan urdhrat e prokurorisë dhe askush nuk u ndëshkua për këtë, tregon se hetimi është bllokuar që në fillim. Ai shtoi se pa çuar para drejtësisë bashkëpunëtorët dhe ata që penguan hetimet, është e pamundur të arrihet te personi që ka dhënë urdhrin final.
Nga ana tjetër, Pano Soko u shpreh se 21 janari ka qenë shumë më tepër sesa katër vrasje. Sipas tij, viktimat u shfrytëzuan për interesa politike nga forca që atëherë kërkonte pushtetin dhe që sot është në qeveri. Ai theksoi se kjo ngjarje është mbajtur qëllimisht e hapur për vite me radhë, duke u përdorur si instrument politik dhe retorik, pa një vullnet real për ta mbyllur kapitullin me drejtësi.
Të dy analistët ranë dakord se pa hetim të plotë për zinxhirin e përgjegjësisë, nga ekzekutorët te bashkëpunëtorët dhe urdhëruesit, 21 janari do të mbetet një plagë e hapur në politikën dhe drejtësinë shqiptare.
