2 vite burg dhe 14 mijë euro gjobë për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

Data

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 2 vite burg dhe 14.000 euro gjobë Lubisha Millkoviqin, pasi ai ka pranuar fajësinë për dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë protestës së 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Millkoviq akuzohej për sulm ndaj personit zyrtar, si dhe për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm. Avokati i tij, Millosh Deleviq, deklaroi se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur “me vullnet të plotë” nga i pandehuri.

I arrestuar më herët gjatë këtij viti, Millkoviq do të qëndrojë në paraburgim deri në hyrjen në fuqi të plotë të vendimit, pasi aktgjykimi duhet të marrë formën e prerë.

Ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan u shoqëruan me përplasje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it e Policisë së Kosovës, ku mbi 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë, ndërsa pati të lënduar edhe nga radhët e protestuesve. Dhuna shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona në lidhje me këto ngjarje, ndërsa një pjesë e tyre tashmë janë dënuar pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë. Prishtina fajëson “grupe kriminale të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç” për organizimin e dhunës, ndërsa Beogradi e ka mohuar këtë dhe ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po e shtyn situatën drejt përplasjes me NATO-n.

NATO, nga ana e saj, ka kërkuar vazhdimisht që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës penalisht, çka pasqyrohet edhe në vendime të tilla gjyqësore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related