Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga bëri një analizë të shtjelluar për mënyrën se si funksionon krimi i organizuar në Shqipëri, si veprojnë shqiptarët në Ekuador, pse po zbulohen shifra marramendëse që janë dhënë për të bërë atentate nga grupe kriminale, etj. Gazetari tha se shqiptarët në Ekuador kanë marrë ekskluzivitetin e Ndragetës sepse bëjnë operacione të mëdha që nuk i marrin përsipër të bëjnë grupe të tjera kriminale.
“Unë isha shqiptari i parë që hyra në Ekuador me pasaportë. Qëlloi në një moment të keq se në atë kohë Ekuadori bllokoi lëvizjen e lirë për shqiptarët. Nuk ishte lajmëruar ky fakt. E bllokuan se ata mendonin që shqiptarët janë bërë problematikë. Por në fakt njëri nga shqiptarët më të famshëm që kishte hyrë atje, Gramoz Rexhepi ishte me pasaportë greke. U deshën muaj që të gjenin që kërkohej nga Interpoli, që ishte arratisur nga 6 burgje. Atje kishte dhe shqiptarë që shkonin të provonin shansin. Shqiptarët kanë një element nuk e vlerësojnë jetën. Ata marrin një risk shumë të madh dhe prandaj kanë sukses sepse nuk e vlerësojnë jetën. Të tjerët tolerojnë para jetës.
Kur takova konsullin malazez në 2022-shin në Ekuador më nxori një listë të të gjitha sasive të drogës që ishin kapur në atë vit. Në të gjitha rastet ku kishin të bënin me shtetas serbë dhe malazeze sasitë nuk e kalonin 200 kg. Në rastet kur ishin shqiptarët sasia më e vogël ishte 1.8 tonë. Prandaj ishin vërë të zëshëm shqiptarët që ishin pakicë në Ekuador në krahasim me serbët e malazezët që janë në shumicë. Pse ndodhte kjo? Nëse ti shkon me një kamion sot në Çermë të Lushnjës dhe thua dua 40 tonë domate do e marrë vesh gjithë Myzeqeja, por nëse kalon në rrugë dhe blen 2 kg nuk e merr vesh njeri. Këtë gjë bënin shqiptarët në Ekuador. Shkonin parkonin trilerin në një vend dhe thoshin na duhet 5 tonë. Ngaqë kemi hyrë vonë në atë lloj industrie, duam të shkojmë direkt në majë. Këto sasi të mëdha që shqiptarët lëvizin nga atje janë operacione që më parë i ka bërë Ndrageta. Pra shqiptarët kanë marrë ekskluzivitetin e Ndranghetës. Këtë gjë e tha sot edhe kreu i SPAK-ut. Pra shqiptarët janë të instaluar mirë në Peru, në Brazil, Kolumbi. Pra ne jemi gjithandej në Amerikën Latine. Kemi rastet tona, dëshmorët tanë, kemi tonelatat të kapura atje, që dëshmojnë për fuqinë monetare.”, u shpreh Hoxha.
