Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se presidentit venezuelian Nicolas Maduro i ishin bërë disa oferta për t’u larguar nga pushteti dhe për të shmangur arrestimin, por ai i kishte refuzuar.
Rubio tha se Maduro ishte paditur në Shtetet e Bashkuara që në vitin 2020 dhe se nuk konsiderohet president legjitim i Venezuelës, por një person i kërkuar nga drejtësia amerikane. Sipas tij, ofertat për largim ishin serioze, por Maduro vendosi t’i injorojë dhe të përballet me pasojat.
“Në vend që të zgjidhte një dalje paqësore, ai vendosi të luante dhe të sillhej në mënyrë agresive”, u shpreh Rubio.
Duke folur për zhvillimet në rajon, Sekretari i Shtetit theksoi se situata në Kubë do të jetë gjithashtu në fokus të administratës amerikane, duke shtuar se SHBA-të synojnë të ndihmojnë popullin kubanez, ashtu siç po veprojnë me Venezuelën.
Ai deklaroi se Kuba ndodhet në një gjendje të rëndë dhe se Uashingtoni dëshiron të mbështesë qytetarët që vuajnë pasojat e regjimeve autoritare, si dhe diasporën kubaneze që jeton jashtë vendit.
Rubio përfundoi duke theksuar se administrata amerikane është serioze në qëndrimet e saj dhe se zhvillimet në Venezuelë janë një mesazh i qartë për regjimet që mbështeten te shtypja dhe korrupsioni.
