Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për zgjatjen e kontratave të studentëve të ekselencës të punësuar në administratën shtetërore, duke shmangur ndërprerjen e marrëdhënies së punës për vitin 2026.
Vendimi, i propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, parashikon që të gjithë studentët e punësuar me kontratë 1-vjeçare në bazë të thirrjes publike të dhjetorit 2024, të vijojnë punën deri në përfundimin e procedurave të rregullta të rekrutimit.
Me përfundimin e mandatit të tyre në fillim të vitit 2026, ekzistonte rreziku që ata të mbeteshin pa punë deri në hapjen e konkurseve për statusin e nëpunësit civil apo sipas Kodit të Punës. Sipas ndryshimit në VKM, kontratat do të shtyhen automatikisht deri në finalizimin e këtyre procedurave.
Departamenti i Administratës Publike është ngarkuar me zbatimin e vendimit për të garantuar vijimësinë e punës dhe funksionimin normal të institucioneve.
