Ish-kryenegociatori i Shqipërisë për Bashkimin Europian, Zef Mazi, ka deklaruar se procesi i integrimit europian nuk duhet parë si një procedurë teknike, por si një proces thellësisht politik, ku vendimmarrja e shteteve anëtare të Bashkimit Europian luan rol vendimtar.
Në një intervistë për mediat, Mazi theksoi se shpesh në Shqipëri krijohet perceptimi se integrimi ecën në mënyrë automatike përmes përmbushjes së kritereve teknike, ndërsa sipas tij realiteti është më kompleks dhe lidhet ngushtë me interesat politike dhe strategjike të vendeve anëtare të BE-së.
“Edhe kur një proces duket teknik, në thelb ai mbetet politik. Vendimet në Bashkimin Europian merren mbi bazën e interesave dhe vlerësimeve politike të shteteve anëtare”, u shpreh ai.
Diplomati u ndal edhe te raporti i fundit i vlerësimit për Shqipërinë, duke e konsideruar miratimin e tij një hap pozitiv që mundëson vijimin e negociatave, por jo një garanci për përmbylljen e tyre në afat të shkurtër.
Sipas Mazit, sfidat kryesore që vazhdojnë të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit janë korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë.
Ai theksoi se problematikat e lidhura me korrupsionin mbeten një shqetësim serioz për partnerët europianë dhe vazhdojnë të përmenden në raportet monitoruese të institucioneve të BE-së.
“Pavarësisht progresit të arritur, korrupsioni mbetet një pengesë e ndjeshme. Po ashtu, çështjet që lidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe stokun e madh të dosjeve të pashqyrtuara kërkojnë zgjidhje konkrete”, tha Mazi.
Ai komentoi edhe metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian, të miratuar në vitin 2020, duke vlerësuar se procesi nuk është përshpejtuar siç ishte parashikuar fillimisht. Sipas tij, negociatat janë bërë më komplekse dhe burokracia është shtuar.
Në përfundim, Mazi ngriti pyetjen mbi perspektivën afatgjatë të zgjerimit europian në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se e ardhmja e procesit do të varet jo vetëm nga reformat e vendeve kandidate, por edhe nga vullneti politik i vetë Bashkimit Europian për të çuar përpara zgjerimin.
