Fushata e grupit të Rithemelimit në opozitë për hetimin e koncesioneve të dyshuara korruptive të qeverisë aktuale në sektorin e shëndetësisë duket se ka harruar dy nga katër koncesionet e këtij sektori, bëhet e ditur nga kërkesa e depozituar në kuvend nga grupi kryesor i opozitës parlamentare dhe i publikuar së fundmi në faqen e internetit të Kuvendit. Dy koncesionet e përfshira janë sakaq nën hetim nga SPAK. I pari, ai i sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura. Kërkesa e opozitës sot për të hetuar vetëm këto dy koncesione nga katër, është në fakt e ndryshme edhe nga kërkesa e saj e mëparshme e shtatorit 2023. Në atë kohë, Rithemelimi kërkoi në kuvend ngritjen e një komisioni për hetimin e që të katërtave koncesioneve [link kërkesa], ndryshe nga kërkesa e pas kompromisit, e cila heq dy nga katër koncesionet nga objekti i hetimit. Koncesionet e të dyja qeverive, asaj të Partisë Demokratike, 2005-2013, por në veçanti, asaj të Partisë Socialiste pas vitit 2013 kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime, nga shqiptarët apo nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun për stabilitetin financiar të vendit.
Zbardhen të tjera detaje nga pazari Rama-Berisha, dy nga katër koncesionet në Shëndetësi i shpëtojnë hetimit parlamentar
Data
