Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim pasuror ndaj Sali Berishës. Kjo u konfirmua para pak javësh nga Altin Dumani, i cili u shpreh se në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, po bëhet edhe verifikimi i pasurisë së Berishës dhe familjes së tij. Vetë SPAK ka vënë nën sekuestro disa prona të Jamarbër Malltezit, ndërkohë duket se po hetohet nëse vetë Berisha ka fshehur pasuri. Dosja “non grata” e britanikëve dhe amerikanëve tregoi se familja “Berisha” ka vendosur pasuri marramendëse duke shfrytëzuar pushtetin. Në dosje përmendej dhe Damir Fazlliç. SPAK ka nisur hetimin e pronave të dhëndrit të ish-kryeministrit ku pritet të dalin shumë “perla”. Gazeta në numrat e saj të fundit ka zbardhur disa nga aferat ku është implikuar Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. Sot po përmendim disa ngjarje të rënda që nëse hetohen siç duhet nga SPAK prite të çojnë pas hekurave Berishën dhe fëmijët e tij.
Pronat
Pronat shtetërore dhe të ish-pronarëve, në zonat bregdetare dhe urbane, të grabitura nga familjarët, dhëndurët, sekserët, ish-ministrat, ish-drejtorët, klientët dhe trafikantët serbë të Sali Berishës, gjatë tetë viteve të sundimit të familjes, do të konfiskohen gradualisht, për t’ju kthyer më pas shtetit dhe pronarëve të vërtetë. Një verifikim i imtësishëm dhe hetim kapilar ka nisur tashmë nga SPAK, për një nga historitë më të zeza të korrupsionit, që lidhet me tjetërsimin e pronave shtetërore nga kupola e pushtetit “Berisha” me anë të falsifikimit të dokumenteve, presioneve, dhunës policore, diktatit të pushtetit, parave të zeza, skemave korruptive, keqpërdorimit të AKKP, ALUIZNI-t, hipotekave dhe gjykatave. Nuk është vetëm afera e ish-Klubit Partizani, por hetimet do të fillojnë edhe për përvetësim të pronave në Porto Romano nga dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, nga miku i madh i familjes Berisha, sekseri serb i kërkuar ndërkombëtarisht për trafik dhe mashtrim, Damir Fazlliç.
Kjo aferë është përmendur te dosja e britanikëve ku del edhe roli i Argita Malltezit. Sekseri i Damir Fazlliç, miku i madh i Sali Berishës, bleu një sipërfaqe të madhe toke në Porto Romano, ku sipas socialistëve, ndërmjetësuese ka qenë vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi. Ka shumë dyshime mbi mënyrën se si Fazlliçi e ka blerë këtë tokë, mbi të cilën kishte planifikuar të ndërtonte një terminal gjigant për nënproduktet e naftës. Madje, vite më parë, deputeti Erjon Braçe zbardhi edhe projektin e Fazlliçit. “Ky është projekti i “Croën Aquisitions”, kompanisë së Damir Fazlliç. “Terminali i nënprodukteve të naftës në Porto Romano” quhet. Do të shtrihet në 80 mijë metra katror që ju kam treguar dhe do të shërbejë për çdo gjë: naftë, benzinë, gaz, karburant për avionë”, tha ai. Pikërisht, tek mënyra se si Fazlliçi e ka blerë tokën qëndron problemi. Dihet se Argita ka qenë ndërmjetëse, por nuk dihet se e kujt ka qenë toka.
Berisha e trajton Shqipërinë si pronë
Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij brenda e jashtë Shqipërisë kur ishte në qeveri, por edhe tashmë në opozitë, aplikojnë mbi shqiptarët një “model” shkatërrues që i çon drejt humnerës. Ata e trajtojnë Shqipërinë si pronë të tyre dhe e shfrytëzojnë si të tillë, deri në sekondën e fundit, duke i “rrjepur lëkurën”. Koha ka treguar se spiunët e Sigurimit bënë një marrëveshje me Sali Berishën për të kontrolluar shtetin dhe politikën pas ikjes së Ramiz Alisë, edhe sot politika është në duart e spiunëve. Berisha i fali këta persona për të kaluarën e tyre dhe ata nga ana e vet, premtuan besnikëri për të. Në fakt, Berishës i interesonin këta njerëz që kishin bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, për t’u bërë presion që të mos dilnin nga linja e tij, por ai synonte edhe të mbante pushtetin me këta njerëz. Sali Berisha e ndërtoi pushtetin e mbi principet institucionale, por mbi “kodin” e bajraktarizmit, që nga PD e deri tek zyra më e thjeshtë e pushtetit, qeverisë e shtetit. Nga dosjet që kanë britanikët e amerikanët tregohet se mbi Sali Berishën kur ishte në pushtet, qëndronin klanet mafioze. Mbi Sali Berishën dhe klanet mafioze, qëndronin familja “Berisha”, vajza, djali e dhëndri, të cilët komandonin gjithçka që kishte lidhje me pushtetin, shtetin, qeverinë, parlamentin, ligjet, policinë, ushtrinë, SHISH. Familjarët e kryeministrit Sali Berisha dhe klanet e afërta brenda familjes, vendosin madje edhe kursin e diplomacisë së Shqipërisë se në cilin shtet dhe me cilin shtet do të orientoheshin politikat kombëtare shqiptare. Kjo familje hartonte e komandonte dhe buxhetet e ministrive, investimet, koncensionet, privatizimet vendase e të huaja. Madje ata përcaktonin e vendonin dhe fatet e jetës së shqiptarëve.
Disa nga aferat ku është implikuar familja “Berisha”
Ka një dosje për Argita Berishën. Studioja ligjore e saj është fshirë nga regjistri kombëtar pas dyshimeve për evazion fiskal. Vajza e Berishës nuk deklaroi llojin e aktivitetit të saj tregtar. Pas presionit të medias, Argita Berisha bëri ndryshimin e deklarimeve në Qendrën kombëtare të regjistrimit të Bizneseve: në datën 4 shkurt 2008 figuronte si “shërbim konsulence dhe avokatie”, ndërsa në 8 shkurt u shndërrua në aktivitet të përgjithshëm.
Skandali i MEICO-s
28 Mars 2008: Publikohet artikulli i Neë York Times, për armë të skaduara nga Shqipëria drejt Afganistanit. MEICO e përfshirë në trafik. Ylli Pinari, drejtor i MEICO kontaktoi me Efraim Diverolin, pronar i AEY i cili kishte fituar kontratë nga Pentagoni për të pajisur me armë ushtrinë afgane, nëpërmjet një prej njerëzve të listës së zezë së SHBA, Henry Tomei, nëpërmjet firmës Evdin.
Zhdukja e Kosta Trebickës
13 Shtator 2008: Humb jetën në rrethana misterioze aksidenti ish biznesmeni Kosta Trebicka, i pari biznesmen që denoncoi aferën korruptive të Gërdecit dhe trafikut të Armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Hetimet e prokurorisë dhe konkluzionet e një eksperti amerikan nxorën se vdekja e tij në një fshat të Korçës ishte aksidentale, edhe pse në opinion ky mendim nuk gjeti vend. Më pas emri i tij u përdor për luftë politike nga të dy palët.
Damir Fazlliç, skandali me pronat dhe Argita
5 Tetor 2008: Prangoset në Sarajevë Damir Fazlliç. Në Shqipëri kishte krijuar firmën SRF Developments. Pas zgjedhjeve 2005, regjistroi në QKR tre firma. Ndërkohë që te Kompania Rompetrol kishte punësuar mbesën e Sali Berishës, shpresa Breçani. U verifikua blerja e tokave në Porto Romano, para se kryeministri Berisha ta deklaronte këtë si një park industrial. U akuzua edhe për ndërhyrje në blerjen e energjisë për llogari të Shqipërisë nga Rudnap. Ortakja e Argita Berishës, Flutura Kola i bleu Fazllicit një kompani në vlerën e 1.7 milionë eurove për firmën Croën Acquisitions.
