Prokuroria Speciale e Kosovës në orët e pasditës së 13 Dhjetorit ka njoftuar për ngritjen e një aktakuze e cila prek disa emra të korporatave që kanë në pronësi edhe media në Kosovë.
Përmes një komunikate për mediat, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 5 personave fizikë dhe 3 personave juridikë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “pastrim i parave”.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa vjeçare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër personave fizikë: E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L dhe personave juridikë: ‘M…’, ‘AHK’ dhe ‘QKK’”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria nuk ka përmendur emrat e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza dhe as emrat e bizneseve, ndërsa në publik janë përmendur emrat e pronarëve të RTV Dukagjini, Ekrem Lluka dhe pronarit të televizionit T7 dhe themeluesit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, si dhe njërit prej zyrtarëve të Spitalit Amerikan në Kosovë, Igli Larashi.
Pak minuta pas pranimit të komunikatës së Prokurorisë, “Kallxo” ka kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që sipas ligjit të ofrojë qasje në aktakuzën e redaktuar të këtij rasti, por deri në publikimin e artikullit Gjykata nuk ka dhënë qasje në aktakuzën e redaktuar. As Prokuroria nuk është përgjigjur për të dhënë detaje për arsyet e aktakuzës.
