Vrasja e Ardian Nikulajt, Shqipëria nis betejën në Gjykatën Supreme të Londrës për ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve

Data

Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me prokurorinë britanike, kanë nisur një tjetër përpjekje ligjore për ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër shtetasve britanikë të kërkuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në vitin 2023.

Burime nga Prokuroria e Lezhës bëjnë me dije se prokurori i çështjes, Arben Nika, ka zhvilluar së fundmi një bisedë me prokurorin anglez që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar në procesin e ekstradimit në Britaninë e Madhe.

Sipas raportimeve, palët janë dakordësuar për të vijuar betejën ligjore në Gjykatën Supreme të Anglisë, pas vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë britanike që pezulloi ekstradimin për shkak të parregullsive procedurale në firmosjen e urdhrave të ekstradimit nga ish-sekretarja britanike e shtetit, Yvette Cooper.

Prokuroria angleze, Crown Prosecution Service, konfirmoi se ka njoftuar gjykatën për synimin e apelimit në Gjykatën Supreme në emër të autoriteteve shqiptare.

Në rast se Gjykata Supreme nuk pranon apelimin, Ministria e Drejtësisë shqiptare pritet të paraqesë një kërkesë të re ekstradimi, të shoqëruar me garanci shtesë juridike.

Sipas burimeve, prokurori Arben Nika do të garantojë se Edmond Haxhia nuk do të përballet me akuzën e “vrasjes për gjakmarrje”, por me akuzën e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”.

Një garanci e ngjashme ishte firmosur më herët nga ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ndërsa këtë herë dokumenti pritet të nënshkruhet nga ministri aktual Toni Gogu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related