Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka paralajmëruar se arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta shënon fillimin e “ditëve të zeza” për disa politikanë të tjerë të lartë në Shqipëri që dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. Gjatë një interviste për gazetën zoti Shabani thekson se ish-kryeministri Sali Berisha, është një nga ata që do të përballet me drejtësinë pas këtij zhvillimi.
Shabani e shpjegon këtë si një rezultat të një cikli politik që po përfundon në Shqipëri, ku sipas tij, pandëshkueshmëria ka qenë normë për dekada. Me një reformë të fuqishme në drejtësi që po merr formë, ai parashikon se më shumë politikanë do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre dhe do të ndjejnë peshën e ligjit. Në këtë kontekst, deklaratat e kreut të Nismës Thurje, Endri Shabani nxjerrin në pah ndryshimet e rëndësishme që po ndodhin në sistemin politik shqiptar dhe përkushtimin për drejtësi dhe transparencë.
-Zoti Shabani, ish-presidenti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Çfarë ndikimi mund të ketë arrestimi i Metës mbi stabilitetin politik në Shqipëri dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Arrestimi i Ilir Metës është sinjali që ky cikël politik po mbaron Rotacioni politik ka nisur dhe shumë shpejtë do përfundojë me arrestimin e Ramës dhe Veliajt. Ju e dini shumë mirë se për dekada, ky vend ka jetuar nën hijen e pandëshkueshmërisë dhe të një klase politike që ka përdorur politikën për tu pasuruar në kurriz të shqiptarëve, pa u shqetësuar për drejtësinë. Ky arrestim është një sinjal i fortë për të gjithë se askush nuk është mbi ligjin. Stabiliteti politik nuk kërcënohet as nga Meta dhe as nga Berisha, sepse fatmirësisht shqiptarët i kanë braktisur me kohë të dy. Në arenën ndërkombëtare, ky hap në fuqizimin e drejtësisë, gjë që është kusht për integrimin e Shqipërisë në BE.
-Si i interpretoni kërcënimet e tij ndaj prokurorëve të SPAK-ut, dhe a besoni se këto mund të ndikojnë në procesin hetimor?
Kërcënimet e Metës janë simptomë e gjendjes mendore të atyre që për 30 vite kanë menduar se janë të paprekshëm, por që tani po ndjejnë të gjithë peshën e ligjit. Prokurorët e SPAK-ut deri tani po i dëshmojnë popullit shqiptar se nuk i tremben as presionit politik dhe as kërcënimeve banditeske nga ata që po bien nga vakti. Në këtë pikë çdo shqiptar do duhet të falënderojë Dumanin dhe SPAK-un për punën që po bëjnë.
-Duke marrë parasysh akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe deklarim të rremë, sa vite burg rrezikon Ilir Meta sipas ligjeve shqiptare dhe si mund të ndikojë kjo në karrierën e tij politike në të ardhmen?
Kini parasysh që këto procese fillojnë me disa akuza, por rrugës akuzat mund të shtohen. Kështu që nuk do habitesha edhe nëse Meta nuk del më nga qelia e burgut. Por çështja këtu nuk është thjesht sa vite burg rrezikon Meta, por se çfarë përfaqëson ky proces. Kjo është drejtësi për të gjithë ata shqiptarë që kanë vuajtur mungesën e shërbimeve publike gjatë kohës që Meta ishte në krye të shtetit. Hapi tjetër që duhet të bëjë SPAK-u është të konfiskojë dhe t’iu rikthejë shqiptarëve pasurinë që iu është vjedhur. Atëherë do të kemi drejtësi të plotë.
-Ka zëra se Ilir Metës mund t’i kërcënohet jeta në burg, duke qenë se ka pasur shumë poste dhe se aty mund të përballet me personazhe që mund t’i ketë sulmuar ose akuzuar politikisht. Sa gjasa ka të ndodhë kjo gjë?
Është detyrë e ministrisë së Drejtësisë që të sigurojë që jeta dhe mirëqenia e çdo të burgosuri të garantohet dhe këtu nuk bën përjashtim as Meta. Por le të mos harrojmë se këtu po flasim për një njeri që ka pasur pushtet të jashtëzakonshëm për vite me radhë, një njeri që ka qenë në krye të sistemit që e ka marrë në qafë këtë popull. Prandaj shqiptarët meritojnë drejtësi dhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të mohohet prej kërcënimeve të tilla, sado të vërteta apo të trilluara qofshin.
