Problemet me furnizimin me ujë vazhdojnë të rëndojnë qytetin e Vlorës edhe në prag të ndërrimit të viteve. Pavarësisht njoftimit zyrtar të Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës më 30 dhjetor, se pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor i gjithë qyteti do të furnizohej me ujë brenda orës 17:00, realiteti ka qenë ndryshe.
Edhe pse defekti në tubacionin kryesor u riparua, gjysma e qytetit ka mbetur pa ujë. Shkaku i ri, sipas Ujësjellësit, është vjedhja e një saraçineske në stacionin e ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, pranë Stacionit të Trenit të Mallrave.
Si pasojë e këtij veprimi, është bërë i pamundur funksionimi normal i rrjetit të shpërndarjes, duke lënë pa furnizim me ujë lagjen “24 Maji”, zonën e Petroliferës, zonën e TEC-it, Portin e Peshkimit dhe Zvërnecin.
Autoritetet bëjnë thirrje për mbrojtjen e pronës publike, duke theksuar se dëmtimi i infrastrukturës së ujësjellësit sjell pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin. Për ngjarjen është bërë edhe denoncim në Policinë e Qarkut Vlorë, ndërsa grupet e punës kanë nisur menjëherë ndërhyrjen për zëvendësimin e saraçineskës dhe rikthimin e furnizimit.
Ky defekt i ri vjen vetëm pak ditë pas një tjetër avarie që la Vlorën pa ujë për rreth pesë ditë, situatë që shkaktoi revolta dhe protesta të banorëve, të cilët u mblodhën para Bashkisë dhe ndërhynë edhe në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, ku ishte planifikuar një mbrëmje festive.
Ndërkohë, në mbrëmjen e 31 dhjetorit, shumë qytetarë kanë denoncuar në rrjete sociale se zona të tëra të qytetit vazhdojnë të jenë pa ujë, duke e pritur ndërrimin e viteve në kushte të vështira dhe me pak shpresë për një furnizim normal në orët e para të vitit të ri.
