Vijojnë hetimet për ngjarjen në Roskovec, grupi hetimor pritet të marrë sërish në pyetje ish-partneren e autorit të dyshuar

Data

Grupi hetimor pritet të marrë sërish në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 24 korrik në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Sipas burimeve pranë hetimit, dëshmia e parë e saj është përqendruar kryesisht te rrethanat e ngjarjes brenda banesës dhe nuk ka sqaruar motivet e mundshme që, sipas hetuesve, mund të kenë paraprirë krimin.

Burimet bëjnë të ditur se e reja ka deklaruar se u zgjua pasi dëgjoi zhurma në banesë dhe pa ish-partnerin e saj, Refit Buzi, të armatosur. Sipas dëshmisë së saj, ai e detyroi nën kërcënim të largohej me të nga banesa. Ajo ka deklaruar gjithashtu se pa të atin të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nuk arriti të shihte nënën e saj.

Sipas të njëjtave burime, gjatë dëshmisë së parë nuk janë dhënë shpjegime lidhur me përfundimin e marrëdhënies mes saj dhe autorit të dyshuar, si edhe për pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar familjes një shumë parash gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar. Këto pretendime mbeten pjesë e hetimeve dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

Sipas Policisë, nga ngjarja humbën jetën dy prindërit e 24-vjeçares, ndërsa autori i dyshuar u gjet më vonë i pajetë pas një operacioni policor.

Sqarim: Hetimet për ngjarjen janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësitë do të përcaktohen nga organet kompetente mbi bazën e provave të administruara. Pretendimet e palëve mbeten objekt verifikimi nga autoritetet hetimore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related