Vetingu përjashton nga drejtësia gjyqtarin e “plepave” që fali Sali dhe Shkëlzen Berishën, ja çfarë pasurish iu gjetën në posedim

Data

Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Lazer Sallaku, me kurs “Plepash”, i cili mbylli dosjet e bujshme me të kallëzuar Lulzim Bashën, Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Ridvan Boden dhe Genc Rulin. Trupa gjykuese e KPA-së e përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, la në fuqi vendim e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më datë 25 maj 2023, për shkarkimin nga detyra të Lazer Sallakut. Gjyqtarit të Tiranës iu konstatuan probleme me pasurinë. Mes gjetjeve problematike të Komisionit të Vettingut, kryesore ishin 40 mijë euro dhuratë nga ish vjehrra. Në vitin 2012, Sallaku deklaroi pasuri në emër të gruas së dytë, Alma Sallaku. Sipas trupit gjykues, ish vjehrra nuk kishte mundësi financiare që t’i dhuronte ish bashkëshortes së gjyqtarit 40 mijë euro. Nga ana e tij, gjyqtari tha se “Shuma që i është dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna është krijuar para martesës, në vitin 2004 dhe nuk kam pasur të drejta mbi atë vlerë. Ai dhurim nuk duhej të lidhej me procesin e rivlerësimit”.

Dosjet e bujshme që mbylli Lazer Sallaku

Emri i gjyqtarit të Tiranës lidhet me mbylljen e dosjes së lobimit rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes CEZ, me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ku të kallëzuar ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, sekseri kyç Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Florion Mima, ish-zëvendësministra, ish-drejtorë, etj. Lazer Sallaku ka marrë pjesë edhe në rigjykimin e rolit të ish truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhaj, në vrasjen e Azem Hajdarit, konsideruar si ‘vrasja e shekullit’. Haxhia u dënua në 11 shkurt 2022 me 21 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Në vendim thuhet se vrasja e Azem Hajdarit nuk është politike, por për shkak të hakmarrjes, konkretisht për të marrë hak për vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Procesi i verifikimit për gjyqtarin Sallaku ka nisur që në qershor të vitit 2020. Lazër Sallaku u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit në 5 prill të vitit 2010, me dekret të Bamir Topit, në atë kohë President. Emri i Sallakut iu propozua Topit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë katër ditë para emërimit. Në atë kohë Sallaku ishte inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë detyrë e ushtronte që nga viti 2007. Në dhjetor të 2013, Sallaku transferohet në Tiranë me vendim të KLD, e cila në atë kohë drejtohej nga Bujar Nishani.

Reagon Bledi Mane

Sa i takon shkarkimit të gjyqtarit dje reagoi në rrjetet sociale edhe gazetari i njohur, Bledi Mane. “Ky është gjykatësi Lazër Sallaku të cilit vjehrra i ka bërë tre dhurata me vlerë 40 mijë euro secila. Ky është gjykatësi që ka pushuar çështjet në ngarkim të Lulzim Bashës, Ritvan Bodes, Sali e Shkëlzen Berishës, Genc Rulit… Ky është gjykatësi me kurs juridiku 6 mujorsh tejet i korruptuar që pas 29 viteve dëme në sistemin e drejtësisë sot u shkarkua përfundimisht. Lazri iku por pasojat po i vuajnë viktimat e kësaj drejtësie të ndyrë”, shkroi Mane.

Gjyqtarët e “Plepave”

Gazeta “SOT” më herët ka publikuar një dokumenti të firmosur nga qeveria Meksi në vitet e para të ’90 për kursin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të njohur si kursi i ‘Plepave’. Në vendimin me 4 pika që cilësohej si reformë e drejtësisë kursi për prokurorët ishte tre muaj, ndërsa për gjyqtarët 6 muaj. Në vendimin me 4 pika që cilësohej si reformë e drejtësisë kursi për prokurorët ishte tre muaj, ndërsa për gjyqtarët 6 muaj. Pjesëmarrësit në kurs janë trajtuar me ushqim dhe fjetje falas, ndërsa atyre që shkëputeshin nga puna u jepej paga. Kursi, bazuar në vendimin e qeverisë Meksi në vitin 1993 është bërë në Shtëpinë e Pushimit në Durrës. Nga ‘plepat’ te vettingu. Pas komunizmit, kursi i ‘plepave’ u cilësua si reformë asokohe, ndërsa reforma e miratuar para dy vitesh nga Parlamenti shqiptar, është e dyta në sistemin e drejtësisë shqiptare. Reforma synon pastrimin e gjyqësorit shqiptar nga të paaftët dhe të korruptuarit.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkohë kujtomë se ky vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA), vjen një vit pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e shkarkoi nga detyra gjyqtarin Lazer Sallaku, i cili mbylli dosjet e bujshme me të kallëzuar Lulzim Basha, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. Gjyqtarit të Tiranës i janë konstatuar probleme me pasurinë dhe nuk e ka kaluar shkallën e parë të vettingut. Në vitin 2012, Sallaku deklaroi pasuri në emër të gruas së dytë, Alma Sallaku. Gjyqtari thotë se bashkëshortja e re ka marrë një dhuratë prej 40 mijë eurosh nga nëna e saj, me rastin e martesës. Në vitin 2007, gjyqtari deklaroi një motoskaf me vlerë 300 000 lekë dhe një makinë ‘Mitsubish’ me vlerë 700 000 lekë, të cilët i shet më vonë. Deklaron një apartament në Tiranë me sipërfaqe 110 m2, me vlerë 60 mijë euro, me burim kredi bankare. Në vitin 2014 porosit një apartament 2+1, ku bashkë me bashkëshorten paguan dy këstet e para në shumën 33 727 euro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related