“Vetëm Trump mund të ndalë Putinin”, Presidenti i Polonisë: Evropa duhet ta mbështesë

Data

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar se Donald Trump është i vetmi udhëheqës botëror që mund të ndalojë presidentin rus Vladimir Putin dhe kërcënimin që ai përbën për Evropën.

Në një intervistë për median britanike BBC, Nawrocki u shpreh se Putinit nuk duhet t’i besohet, por theksoi se Evropa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur Presidentin Trump në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti polak, i njohur si një mbështetës i fortë i Donald Trump, tha se me Rusinë që kërcënon jo vetëm Poloninë, por edhe Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti amerikan është i vetmi që mund ta “zgjidhë këtë problem” dhe të sjellë paqe në Ukrainë.

Ai u pyet gjithashtu për marrëdhënien e tij me Trumpin, sidomos në dritën e deklaratave të presidentit amerikan lidhur me Groenlandën, të cilat kanë shqetësuar disa vende evropiane dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi unitetin e NATO-s.

Sipas Nawrockit, Shtetet e Bashkuara mbeten garantuesi kryesor i sigurisë evropiane, pavarësisht deklaratave të fundit që kanë shkaktuar debat. Ai shtoi se veprimet e Donald Trump në raport me Evropën “meritojnë mbështetje dhe respekt”.

Presidenti i Polonisë paralajmëroi gjithashtu se një shkëputje e Evropës nga SHBA-të do të ishte e dëmshme, si për sigurinë ekonomike, ashtu edhe për atë ushtarake të Bashkimit Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related