28-vjeçari grek i arrestuar për vrasjen me thikë të Jani Aliajt në burgun e Korydallos ka dhënë dëshminë e tij të parë para grupit hetimor, duke pretenduar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Sipas mediave greke, i riu ka deklaruar se kishte frikë për jetën e tij dhe se, sipas tij, viktima ishte paguar për ta eliminuar për shkak të një konflikti të mëparshëm të lidhur me një ngjarje kriminale të ndodhur disa muaj më parë. “Nëse nuk do të veproja unë, do të më vriste ai”, ka deklaruar autori gjatë rrëfimit.
Ngjarja ndodhi në një zonë të burgut ku nuk kishte kamera sigurie, në një moment kur të burgosurit kishin lëvizje të lirë. Gjatë përplasjes, Aliaj humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa një i burgosur tjetër u plagos lehtë teksa tentoi të ndërhynte për t’i ndarë.
Autoritetet greke bëjnë me dije se as viktima dhe as autori nuk kishin raportuar më herët konflikte të hapura apo kërcënime të drejtpërdrejta. Autori 28-vjeçar rezulton me precedentë të rëndë penalë dhe akuzohet për vepra të rënda, ndërsa pas dëshmisë është rikthyer në qeli dhe pritet të përballet me gjykimin, duke rrezikuar dënime shumë të rënda.
Jani Aliaj ishte dënuar më herët me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për një vrasje të ndodhur në Tiranë në vitin 2016. Autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij, por ngjarja në burgun grek ndodhi përpara përfundimit të këtij procesi.
