Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë ka ndezur debat të fortë politik, ndërsa opozita e cilëson atë si rezultat të një presioni të jashtëzakonshëm dhe të paprecedent nga kryeministri Edi Rama.
Sipas kritikëve, kjo ndërhyrje ishte paralajmëruar në mënyrë indirekte edhe nga revista prestigjioze britanike “The Economist”, e cila disa ditë më parë publikoi një analizë mbi raportin gjithnjë e më konfliktual mes kryeministrit shqiptar dhe institucioneve të drejtësisë.
Në artikullin e saj, revista shkruante se “Rama po zien nga zemërimi”, duke iu referuar zhvillimeve të fundit rreth çështjes së Belinda Ballukut, e akuzuar nga SPAK për dyshime mbi manipulimin e një tenderi infrastrukture. Balluku i ka mohuar akuzat, ndërsa Rama është shprehur publikisht se nuk di nëse ajo është fajtore, por ka dënuar ashpër vendimin për pezullimin e saj nga detyra.
“Kjo është e padëgjuar në historinë e Europës”, citon The Economist deklaratën e Ramës lidhur me masën e pezullimit.
Revista kujton gjithashtu se pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për akuza korrupsioni – të cilat ai i ka mohuar – Rama u përpoq ta shkarkonte nga detyra, por u ndalua nga gjykatat, duke krijuar një situatë të pazakontë ku qyteti drejtohej nga burgu. Kryeministri e ka cilësuar këtë realitet si absurd.
Në analizë, The Economist vëren se Rama e përshkruan SPAK-un si një institucion “të papërvojë, ndonjëherë tepër zellshëm dhe ndonjëherë thjesht gabim”, por që, sipas tij, mbetet pjesë e procesit të reformës në drejtësi.
Opozita, nga ana tjetër, ka deklaruar vazhdimisht se zemërimi i kryeministrit lidhet drejtpërdrejt me faktin se, sipas saj, në dosjen e Ballukut, emri i parë që duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi penale është vetë Edi Rama.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë në këtë klimë tensioni, pritet të thellojë më tej përplasjen politike dhe institucionale mes qeverisë dhe opozitës, si dhe debatin publik mbi pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.
