Policia e Lezhës ka ekzekutuar vendimin e formës së prerë të Apelit të GJKKO-së, duke konfiskuar tre pasuri të llojit “arë” me një sipërfaqe totale prej 43 383 metrash katrorë në zonën e Ishull-Shëngjinit. Pasuritë janë konsideruar të përfituara nga aktivitet kriminal dhe tashmë kalojnë në administrimin e shtetit.
Ekzekutimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
“Në zbatim të vendimit të GJKKO-së, i lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u ekzekutua konfiskimi i tri pasurive të llojit ‘arë’ me sipërfaqe totale 43 383 m² në Ishull-Shëngjin”, njoftoi policia.
Pasuritë tashmë konsiderohen të sekuestruara përfundimisht dhe do të administrohen nga shteti sipas procedurave ligjore.
Hetimet për origjinën e tyre kanë konkluduar se ato janë përfituar nga veprimtari kriminale, çka çoi në vendimin përfundimtar të konfiskimit.
