Autoritetet greke kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e vdekjes së dy të burgosurve në burgun e Korydallos.
Sipas Sekretariatit të Përgjithshëm për Politikën Kundër Krimit, dy burrat kishin marrë pjesë që nga fillimi i muajit mars në një program terapeutik detoksifikimi të zhvilluar në qendrën e paraburgimit, në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare për Parandalimin dhe Trajtimin e Varësive (EOPAE).
Pas incidentit, personeli shëndetësor u njoftua menjëherë dhe një ekip i organizatës mbërriti në institucion për të ndihmuar në verifikimin e rrethanave të ngjarjes.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve të kryera tek pjesëmarrësit në program nuk janë konstatuar probleme që lidhen me procesin e trajtimit terapeutik, i cili zbatohet nën monitorim mjekësor dhe sipas protokolleve të përcaktuara.
Ndërkohë, për rastin është njoftuar edhe prokuroria kompetente, e cila ka urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe analizave toksikologjike për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Hetimet paraprake për ngjarjen po zhvillohen nga departamenti përkatës i policisë.
