Lekë Tasi ishte 38 vjeç kur e pushuan nga puna si violinçelist, në Orkestrën e Radios dhe në Teatrin të Operas, në vitin 1967, për shkak të biografisë.
I ati Koço Tasi shpallet kundërshtar i regjimit komunist, dhe dënohet me burg ndërsa xhaxhai i tij, Akile TasiAkile Tasi vdes në burgun e Burrelit pas 17 viteve burg. Dhjetë vjet më vonë familja tij, nëna, motra, ai bashkë me të vëllanë, internohen në kampin e punës në Grabjan të Lushnjës, prej viti 1975 deri në vitin 1990. Të gjithë kujtimet dhe përjetimet e jetës në këtë kamp ai i hedh në librin e tij, “Grabjani rrëzë kodrave” , trajtuar në formën e një ditari ku përshkruan me detaje mbi kushtet e jetesës, keqtrajtimit, shfrytëzimit, vuajtjes shpirtërore, fizike dhe psikologjike, duke treguar me detaje një realitet të hidhur dhe pak të njohur në ditët e sotme me skena, personazhe, histori nga fshati i internimit në vitet ’70-’80.
Në libër flitet për trajtimin çnjerëzor që u bëhej të internuarve politikë. Përveç analizës së ngjarjeve historike, sociale, ekonomike dhe politike, në këtë libër gjenden edhe shkëndijat e rebelimit të fshehtë ndaj diktaturës, sinjalet e para këto të ndryshimeve që do të kulmonin me rënien e shtatores të diktatorit në datën 20 shkurt 1991. Shkëlqen diku shpresa e ndryshimit dhe i çlirimit nga vuajtjet, pastaj zhgënjimi ia zë vendin, por jo përgjithmonë. I ftuari i nderit, autori i romanit, z. Lekë Tasi, pasi foli për narrativën e përshkruar në librin e tij me nota biografike tha se: “Duhet theksuar çdo eksperiencë e vjetër, e mirë apo e keqe.
Ne duhet të shkruajmë kujtimet. Kujtimet nuk është gjëja më e lehtë që mund të bëhen, por kur fillojnë të shkruhen, të mos pretendojmë të bëjnë letërsi, mjaftojnë të tregojmë faktet si ka ndodhur, sepse kështu i shërbejmë memories. Të rinjve do t’u rekomandoja që ta lexonin këtë libër, sepse mund të formojnë ndonjë farë njohje të së kaluarës siç ka qenë. Dhe sot jam i kënaqur që shoh librat në duart e lexuesve të rinj, të pranishëm. Kjo është një arritje”.
SIMBOLIKA
AIDSSh zgjodhi simbolikën e 33-vjetorit të rrëzimit të shtatores të diktatorit, si një vijë ndarëse që shënoi fillimin e një epokë të re, pa internime, burgime të padrejta, dhunë, terror e izolim për të themeluar Klubin e Librit të Tiranës “Mësojmë nga e kaluara” me leximin e librit të Lekë Tasit. Po me këtë rast, Autoriteti firmosi me Qendrën Kombëtare të librit dhe leximit marrëveshje bashkëpunimi me kontribut në arritjen e botimeve cilësore me theks në kaluarën historike 1944-1991.
Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula, në fjalën e saj me këte rast u shpreh se: “Kujtimet janë çelësi për të zhbllokuar dyert e së kaluarës. Ato na lejojnë të futemi në sfidat e atyre që kanë jetuar përpara nesh dhe të përjetojmë jetën e tyre ashtu siç ata e kanë jetuar. Ndaj edhe ne kemi zgjedhur librat memuar për t’ia përcjellë publikut, rrugën e historisë personale të qindra e mijëra të përndjekurve me qëllimin që çdonjëri nga ne të ndërtojë me sytë e mendjes dhe të shpirtit atë rrugë të vështirë që ata u detyruan të ndiqnin në regjimin komunist. Në bashkëpunim më Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit kemi shpresë që librat që nuk janë bërë nga njerëz profesionistë të letrave, për shkak të rëndësisë shumë të madhe që kanë, nevojiten të pajisen me komentarë, bibliografi, me referenca që të jenë sa më pranë sidomos mësuesve dhe nxënësve për të nxitur mendimin kritik. Nisim kështu një rrugë të përbashkët për të fuqizuar librat memuaristikë për t’i çuar ato sa më pranë shkollave, te brezi i ri, i cili vjen në këtë botë me të panjohur”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, u shpreh se: “Ky është një moment i rëndësishëm pasi çdo komunikm që ka të bëjë me kujtesën dhe aq më tepër me ata autorë, të cilët jetën dhe veprimtarinë e tyre më të madhe e kanë bërë gjatë burgjeve të komunizimit dhe përjetimit në to, është i duhuri. Njohja e veprave të tyre me lexuesin e ri është një mision dhe formë edukimi për ta njohur të shkuarën dhe mësuar prej saj. Zbardhja e dokumenteve të Autoritetit, të cilat kanë një vlerë të madhe publike për ndriçimin e jetës së këtyre figurave do të jenë edhe pjesë e kësaj marrëveshje që do t’i shërbejë librit dhe leximit”.
Aktiviteti vijoi me diskutimin e librit “Grabjani rrëzë kodrave” me pjesmarrjen e mësuesve të historisë dhe letërsisë, qytetarisë të arsimit parauniversitar të kryeqytetit, nën moderimin e as. prof. dr. Fiona Thodri, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe shkrimtares për fëmijë, Rovena Rrozhani, AIDSSH.
